​Veteranët: Procesi i aplikimit për pensionet sot është duke shkuar shumë më mirë

Kosova

​Veteranët: Procesi i aplikimit për pensionet sot është duke shkuar shumë më mirë

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 11:27

Për t’i evituar problemet e djeshme, ku pranë Qeverisë së Kosovës veteranët kishin bllokuar hyrjen e këtij objekti, duke krijuar tollovi aq sa njërit prej veteranëve i është dhënë ndihma e parë, sot Qeveria ka përpiluar disa lista, në bazë të të cilave veteranët po presin në radhë.

Kjo ka bërë që sot aplikimi për pajisjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me vërtetimet përkatëse për pensionim të shkojë më mirë se dje, pasi që veteranët sapo vijnë nënshkruhen në to dhe presin në radhë derisa t’u vijë rendi.

Edhe vetë veteranët thonë se sot është duke shkuar gjithçka shumë më mirë, ani pse ka prej tyre që thonë se këto procedura kanë mundur t’i kryejnë secili në komunat përkatëse, pa pasur nevojë të vijnë të gjithë në Qeverinë e Kosovës, kështu do të ishte më e lehtë për të gjithë.

Minire Azami, e cila ka ardhur të aplikojë në vend të burrit të saj, pasi që ai nuk ka qenë në gjendje të vijë vet, thotë se edhe dje ka pritur tërë ditën dhe se aty ka qenë një tmerr i vërtet. Ndërsa, për sot thotë se është duke shkuar shumë më mirë. Megjithatë, sipas saj, institucionet kanë mundur ta evitojnë këtë tollov i duke bërë që secili të aplikojë në komunën e vet.

E, sa i përket shumës që do e marrin, ajo thotë se nuk është e kënaqur aspak, por, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike ata po i pranojnë edhe këto lloj pagash.

Azemi: Është gabim që nuk po aplikojmë nëpër komunat tona

“Dje ka qenë tmerr, shumë më tollovi ka qenë, ndërsa sot është shumë më mirë. E di që është shumë gabim kjo, sepse ne kemi mundur ne Shtime ta kryejmë punën e jo të vijmë prej gjithëkahit këtu. Kemi mundur ne Shtime ta kryejmë në komunën tonë, siç i kemi marrë certifikatat t’i marrim edhe ato...Aspak nuk jemi të kënaqur po çka të bëjmë, papunësia e këto edhe duhet të presësh, ato, ato çfarë të bëjmë. Papunësia e këto edhe duhet me prit”, tha Azemi.

Beqir Agaj nga Deçani, i cili ka ardhur që në orën 7 të mëngjesit dhe ende është duke pritur a ty, thotë se sot është duke shkuar shumë më mirë dhe se procedurat janë duke u kryer shumë shpejt. Sipas tij, brenda dy orëve kanë mundur të aplikojnë 200 veteranë.

Agaj: Për dallim nga dje sot është shumë mirë

“Siç e kemi parë në mjetet e informimit dje ka qenë një tollovi, një parregullsi duke pritur njerëzit, sot e pashë një punë më të mirë sepse i kanë përpiluar listat dhe në bazë të saj është ka shkon shumë mirë. Ka filluar lista e pestë diku që do të thotë se janë kryer 200 veta deri më tani, unë jam në listën e shtatë dhe puna po më duket është ka shkon shumë mirë”, tha Agaj.

Edhe pse nuk është fort i kënaqur me këto pensione që do i marrin, ai është 100 për qind i sigurt që në të ardhmen ato do të rriten.

Agaj: Nuk jemi shumë të kënaqur por besojmë në të ardhmen do bëhet më mirë

“Me këto pensione nuk jemi të kënaqur sa duhet po si thotë një fjalë e urtë popullore më mirë tash se hiç, i falënderoi edhe ata për këtë punë që e kanë bërë...Jam i bindur qind për qind se do të rriten”, shtoi Aga.

Edhe Sabit Hoxha nga Korrotica e Lartë e Drenasit, i cili ka ardhur deri këtu për të aplikuar që në orën 6 të mëngjesit, thotë se sot është duke shkuar gjithçka shumë mirë. Sa i përket pensioneve, edhe ai thotë se nuk është shumë i kënaqur por pret që në të ardhmen ato do të bëhen pak më të mira.

Hoxha: Çdo gjë është duke shkuar mirë

“Sot kam ardhur në 6 të mëngjesit dhe po më duket që mirë është duke shkuar, për dje nuk e di por për sot shumë mirë është duke shkuar. Po thërrasin më emra ndërkohë ne po presim këtu deri të më thërrasin unë nuk qohem... Bash, bash nuk jemi por ndoshta i rrisin në të ardhmen, 170 euro janë pak për çdo njeri po ishalla rriten pak më vonë, bëhen pak më të mira. Me të tjerat jemi të kënaqur”, tha Hoxha.

Edhe pse, pas marrjes së vendimit nga ana e Qeverisë së Kosovës për shumën e pensioneve, organizatat e dala nga lufta e kanë kundërshtuar atë, duke thënë se nuk do i pranojnë këto pensione sepse janë shumë të ulëta, dje dhe sot me qindra veteranë janë duke pritur në radhë për t’i marrë ato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat