Veriu i Mitrovicës, i gatshëm për heqjen e barrikadës

Kosova

Veriu i Mitrovicës, i gatshëm për heqjen e barrikadës

Më: 4 tetor 2015 Në ora: 23:45

Janë bërë më shumë se katër vite qëkur barrikada mbi urën kryesore në lumin Ibër në Mitrovicë pengon qarkullimin e banorëve të të dyja pjesëve të qytetit.

Barrikada e ashtuquajtur “Parku i Paqes” është vendosur më 18 qershor të vitit 2014, vetëm pak orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë.

E gjithë kjo ndodhi si rezultat i kundërshtimit ndaj përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31, në kufi me Serbinë në korrik të vitit 2011.

Përkundër përpjekjeve të palës kosovare për të hequr barrikadën, ka qenë Bashkimi Evropian që ka bindur të dyja palët për këtë çështje. Më 25 gusht, në kuadër të katër marrëveshjeve të arritura në Bruksel, u vendos edhe heqja e “Parkut të Paqes”, transmeton Tribuna.

Por, ky plan nuk përfshin vetëm heqjen e barrikadës, por edhe rivitalizimin e saj. Sipas planit parashihet që pos renovimin të urës të bëhen edhe dy rrethrrotullime, njëri në Jug e tjetri në Veri. Ura do të jetë e gjatë 71 metra, e gjerë 13 metra, e ku do të kalojnë automjete dhe në të dy anët do të ketë trotuare.

Në fillim ishte paraparë që në pjesë veriore të urës të ndërtohet fusha të basketbolli, volejbolli dhe tenisit, plan ky i propozuar nga Bashkimi Evropian, kurse me kërkesë nga pala kosovare plani ka ndryshuar. Kjo hapësirë do të jetë në pronësi të Bashkësisë Islame të Mitrovicës, ngase në këtë vend ka ekzistuar një xhami e djegur gjatë luftës së fundit.

Goran Rakiq nuk është deklaruar për këtë çështje, meqë është në një vizitë zyrtare jashtë shtetit. Kurse Adriana Hoxhiq, shefe e zyrës Administrative në veri, ka thënë se sipas informacioneve që ajo ka, pjesa veriore është e gatshme të fillojë së zbatuari marrëveshjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat