​Mitrovicë, tribuna “Ekstremizmi i dhunshëm, parandalimi dhe kundërpërgjigjja”

Kosova

​Mitrovicë, tribuna “Ekstremizmi i dhunshëm, parandalimi dhe kundërpërgjigjja”

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 16:33

Ekstremizmi i dhunshëm si fenomen në botë nuk është një kërcënim i ri, ndërsa tek ne po, dhe si i tillë duhet të përballemi me të. Ky ekstremizëm nuk paraqet rrezik të lartë në Kosovë, mirëpo nëse nuk adresohet në mënyrën e duhur, mund të bëhet kritik për sigurinë nacionale, andaj kërkon një qasje të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse me qëllim të adresimit të tij.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë diskutimit me temën “Ekstremizmi i dhunshëm, parandalimi dhe kundërpërgjigjja ndaj përhapjes së ideve ekstremiste në Kosovë”, që u organizua nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Skender Perteshi nga QKSS-ja, tha se Kosova po ballafaqohet me shumë sfida të sigurisë nacionale të sigurisë, duke filluar nga stabiliteti i përgjithshëm politik dhe ekonomik, papunësia, sundimi i ligjit, korrupsioni, si dhe ekstremizmi.

Sipas tij, grupet ekstremiste si terren të përshtatshëm i përdorin vendet e pazhvilluara ekonomikisht dhe pa stabilitet politik.

Perteshi: Ekstremizmi prezent edhe tek vendet ku perspektiva e qytetarëve është në dyshim

“Zakonisht ekstremizmi i dhunshëm apo grupet ekstremiste si terren të përshtatshëm i përdorin vendet ku nuk kanë zhvillim të duhur ekonomik, nuk kanë stabilitet të duhur politik, dhe vendet ku perspektiva e qytetarëve të tyre është në dyshim… ne si shtet kemi pak përvojë në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme të cilat sado pak kujdesen në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe nivelin e edukimit, që pak a shumë qytetarët tonë të mos ndikohen nga rrymat dhe mos të bëhen viktima të propagandave të ndryshme nga grupe ekstremistësh të cilët përfundojnë në luftërat e Sirisë dhe Irakut”, tha Perteshi.

Ai shtoi se shkaktarët janë nga më të ndryshmit, duke filluar bindjet e gabuara në emër të fesë, papunësia, mirëqenia jo e mirë ekonomike, niveli i ulët i edukimit, izolimi, sepse Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk e gëzon lirinë e lëvizjes në BE e kështu me radhë.

Kryeimami i Bashkësis ë Islame në Mitrovicës, Rexhep Lushta, potencoi si të keqe të madhe faktin që sa herë përmendet ekstremizmi, radikalizmi, terrorizmi, në mendjet e njerëzve gjithmonë shkon islami, përkatësisht feja.

Ai tha se ky është gabimi më i madh për shkak se ekstremizëm dhe radikalizëm nuk ka vetëm në islam, por kjo i përfshin të gjitha rangjet e shoqërisë njerëzore, të gjitha përkatësitë etnike dhe fetare.

Lushta: Nuk duhet gjërat t’i globalizojmë

“Andaj, kisha pasur dëshirë që jo vetëm ne që jemi këtu, por të gjithë, të largojnë nga mendjet e tyre se kur përmendet ekstremizmi të aludohet vetëm në islam. Kjo është e keqe, sepse sa herë dikush që ka emër mysliman dhe bën një krim qoftë edhe nësë shkon të thyejë bankën, themi shiko myslimanët se çfarë bëjnë, jo nuk duhet gjërat t’i globalizojmë… Kosova njihet si shoqëri multikonfesionale, një shoqëri e cila me shekuj ka bashkëjetuar me të gjitha konfesionet dhe kurrnjëherë në Kosovë nuk është shënuar ndonjë ekstrem apo ndonjë rast i ekstremizmit ndërfetar…Kosova në shumë vende të rajonit, por edhe në botë, merret si shembull i tolerancës ndërfetare në mesin e popullit të Kosovës, pa dallim etnie, qofshin ata shqiptarë që janë të besimit katolikë dhe mysliman, apo qofshin edhe serbë të cilët i përkasin besimit ortodoks. Asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë konflikt ndërfetar, dhe nga rrjedh tash ky ekstremizëm dhe ky fenomen i radikalizmit. Dy janë arsyet: e para është mosedukimi i mirëfilltë i popullatës, posaçërisht rinisë, rreth parimeve të vërteta fetare, e dyta, presionet e vazhdueshme nga qarqe të ndryshme të cilat i bëhen komunitetit mysliman në Kosovë”, theksoi Lushta.

Kenan Beqiri nga shoqëria civile tha se gjithçka është e rrezikshme kur është e panjohur.

Ai u shpreh i bindur se kjo nuk vlen vetëm për Kosovën, por për shumicën e vendeve.

Sipas tij, është logjike sikur Bashkësia Islame në këtë rast, institucionet që merren me çështje të sigurisë, por edhe institucionet tjera, qoftë të nivelit lokal apo qendror, të kenë një bashkërendim të punëve më të mirë.

Beqiri: Nuk duhet të presim që dikush tjetër t’i kryejë obligimet tona

“Unë nuk kisha parë asgjë të keqe sikur Bashkësia Islame, institucionet vendore, institucionet e arsimit të bashkërendojnë punët…që të shkohet edhe nëpër shkolla, pse jo, këto janë tema të cilat neve po na ndodhin dhe sigurisht se nuk është në interesin tonë që ne të presim dhe dikush tjetër t’i kryejë këto obligime të cilat ne i kemi si shoqëri”, sqaroi Beqiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat