Krasniqi kërkoi nga drejtuesit e Izmirit mbështetje për prodhuesit e Kosovës

Kosova

Krasniqi kërkoi nga drejtuesit e Izmirit mbështetje për prodhuesit e Kosovës

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 22:20

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka takuar sot drejtuesit e qytetit të Izmirit, kryetarin si dhe prefektin, ndërsa po ashtu gjatë ditës është takuar edhe me shoqata të qytetarëve nga Kosova dhe Ballkani., njoftoi MBPZHR.

Edhe në takime me drejtuesit e Izmirit Krasniqi ka folur për nevojën që të ketë bashkëpunim edhe më të madh ekonomik mes dy vendeve, e në veçanti të punohet në lidhjen e bashkëpunimit ekonomik mes afaristëve nga Izmiri dhe atyre nga Kosova.

Në takim me kryetarin e qytetit të Izmirit, Aziz Kocaoglu, ministri njoftoi me zhvillimin ekonomik në vend dhe mbështetjen që Qeveria po jep ndaj prodhuesve dhe afaristëve tjerë. Ai deklaroi se ka një rritje të prodhimit në vend, por theksoi nevojën që ky prodhim të gjejë mundësi më të mëdha eksporti në Turqi, por edhe vende tjera.

Krasniqi shtoi se Izmiri është një qytet shembull për nga zhvillimi dhe popullsia, pasi këtu jetojnë shumë qytetarë me prejardhje nga Kosova dhe vende tjera të Ballkanit. Në këtë drejtim ai falënderoi kryetarin Kocaoglu për kujdesin ndaj tyre në ruajtjen e vlerave tradicionale që ata i kanë.

Duke vlerë suar Panairin Ndërkombëtar të Izmirit, Krasniqi tha se Kosova do të punojë që vitin e ardhshëm të hap pavijonin e vet dhe të prezantojë bizneset dhe turizmin e vendit.

Nga ana e tij, kryetari i Izmirit e njoftoi ministrin për zhvillimin e qytetit dhe interesimin që të ketë bashkëpunim me Kosovën. Ai tha se janë të gatshëm të ndihmojnë në krijimin e një lidhje me të fortë mes afaristëve të te dy vendeve. Aziz Kocaoglu deklaroi se ka shumë shqiptarë nga Kosova që jetojnë në Izmir dhe që janë mjaft të suksesshëm. Ministri Krasniqi dhe kryetari u pajtuan që të kenë komunikim të vazhdueshëm që në të ardhmen e afërt të organizojnë takime të afaristëve dhe bisedojnë për projekte të tjera konkrete.

Edhe në takim me prefektin e Izmirit, Mustafa Toprak u bisedua për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Ministri Krasniqi tha se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mes dy vendeve do të hapë një etapë të re të raporteve miqësore mes vendeve, dhe do të jetë mbi të gjitha një hap i rëndësishëm për Kosovën në aspektin e zhvillimit ekonomik. Ai e falënderoi prefektin për kujdesin që tregojnë si shtet ndaj qytetarëve me prejardhje nga Kosova dhe shtoi se shqiptarët në Turqi dhe turqit në Kosovë janë një mundësi e mirë që të shtohen rrugët e komunikimit dhe bashkëpunimit.

Prefekti Toprak nga ana e tij tha se do të punojë që të ketë më shumë bashkëpunim mes afaristëve nga Izmiri dhe Kosova. Ai vlerësoi se ka ende shumë sektorë ku mund të shtohet bashkëpunimi dhe që të ketë përfitime për ekonominë e të dy vendeve.

Gjatë ditës Krasniqi ka takuar në një drekë pune edhe drejtuesit e Shoqatës Kosovë – Ballkan në Izmir që mbledh rreth vetes qytetarë e afaristë me prejardhje nga Kosova, si dhe drejtuesit e Federatës së Shoqatave të Ballkanit. Ministri i përgëzoi ata për punën në ruajtjen e identitetit, traditës dh e lidhjes me Kosovën. Ai kërkoi nga ta që të shtojnë përkushtimin në krijimin e mundësive më të mëdha për bashkëpunim mes afaristëve nga Kosova dhe Izmiri, thuhet ën komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat