Kosova pas Speciales – ja çfarë thonë akterët!

Kosova

Kosova pas Speciales – ja çfarë thonë akterët!

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 15:55

Kuvendi i Kosovës, pas riprocedimit të votimit të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, pas debatit tetë orësh i ka thënë “Po” amendamentit nr. 24 që i hap rrugë krijimit të kësaj Gjykate.
Amandamenti i njëjtë ishte proceduar për votim edhe në seancën e 26 qershorit, por kalimi i tij dështoi pasi deputetët e PDK-së nuk ishin në një mendje për votën “Për”.

Themelimi i kësaj Gjykate nxiti shumë reagime dhe debate të ashpra në vazhdimësi, duke përplasur pozitën dhe opozitën.

Formimi Gjykatës që do t’i gjykojë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë u kundërshtua nga opozita duke e cilësuar si përdhosje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mendime të ndryshme ka pasur në opinionin publik, duke i ndarë në dysh taboret nëse kjo Gjykatë duhet të themelohet ose jo.

Nga ana e ndërkombëtarëve u apelua vazhdimisht që kjo Gjykatë të themelohej, pasi ky ishte një premtim që Kosova e kishte bërë kohë më parë dhe tani ishte koha të përmbushej deri në fund.

Por, çka do të ndodhë tash dhe a ka bërë mirë shteti më i ri në Europë me themelimin e kësaj Gjykate?

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, në një intervistë për Klan Kosovën është shprehur se kalimi i këtyre amandamenteve i sjellë shumë të këqija Kosovës.

“Shumë keq, në kuptimin se ndryshojnë shumë gjëra”.

“Krijohet një institucion paralel pa kontroll shtetëror”.

“Ai do të kenë privilegje si UNMIK-u dhe EULEX-i”.

“Po krijohet precedent kur para se të gjykohen të gjitha krimet në Kosovë që kryesisht Serbia i ka bërë, po gjykohen luftëtarët”.

“Nuk ka ndodhur askund në botë që në një konflikt të gjykohet vetëm njëra palë”.

“Është banale të krijohet një Gjykatë me premisë ndërkombëtare”.

Madje, sipas Konjufcës, ky votim e hedh poshtë edhe ekzistencën e Kuvendit.

“Atë që e bëri Kuvendi – historia s’do ta besojë”.

“Votimi i kësaj Gjykate ia humb kuptimin ekzistencës së Kuvendit”.

“Është skandaloze”.

“Të gjitha institucionet e tjera dalin prej Kuvendit, duke filluar nga Presidenca e deri te Qeveria”.

Ndryshimin e qëndrimit të disa deputetëve ai e cilëson si ndërhyrje të pastër nga Qeveria.

“Pushteti politik në Kosovë po na përfshin në një cikël të ri, të cilin unë do ta kisha quajtur: ‘Diktaturë e Qeverisë në Kosovë’”.

“Kjo është një autoritarizëm i pashembullt në rajon, është bërë më keq se në Maqedoni”.

“Republika funksionon në mes Kuvendit dhe Qeverisë, e nësë bie Kuvendi për shkak të Qeverisë atëherë vihet në pikëpyetje demokracia”.

Deputeti Konjufca është shprehur për portalin e Klan Kosovës se nuk është kundër dënimit të krimeve që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë, por këtë Gjykatë duhet ta themelojë vetë shteti ynë.

“Unë jam që të gjykohen të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë, duke përfshirë masakrat, vrasjet politike – por jo të thuhet se ‘ky rast’ ose ‘ai rast’ duhet të trajtohet në Gjykatë të veçantë”.

“Nëse krimi ka ndodhur në Kosovë dhe një serb ka qenë në njësitet që kanë kryer krime, dhe nëse ka dëshmitarë për këtë, nuk ka asnjë Gjykatë që mundet ta mohojë”.

“Duhet të dënohen të gjithë që kanë kryer krime, drejtësia nuk paragjykon as në bazë të prejardhjes ose fesë”.

Më ndryshe mendon kolegu i Konjufcës që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Gashi, duke mos dashur ta cilësojë votimin e tij “pro” si një veprim të mirë ose të keq në raport me shtetin, është shprehur për Klan Kosovën se vendimi është i arsyeshëm.

“Nuk mund të jap mendim nëse është mirë apo keq”.

“Mbetet të shihet”.

“Mendoj që ka qenë vendim i arsyeshëm në rrethanat e krijuara”.

Por, Gashi për dallim nga Konjufca shprehet se nuk ka pasur presion ndërkombëtar, por faji është i vetë kosovarëve.

“Nuk kemi të bëjmë me presion ndërkombëtar aq sa kemi të bëjmë me paaftësinë tonë, por edhe bashkësia ndërkombëtare në fushën e drejtësisë në Kosovë ka dështuar”.

“Ky dështim i përbashkët e ka sjellë edhe Gjykatën Speciale”.

“Kjo krejt ka filluar nga një gabim i zotit Thaçi që ka thënë se unë do të kërkoj një hetim në rastin e Dick Martyt. Është dashur që ai hetim do të përfundonte diku”.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, menjëherë pas votimit është shprehur se kjo nuk është dashur të bëhej.

“Me këtë votim ka ndodhur një gabim i klasës politike, gabim që ia vështirëson rrugën Kosovës edhe në planin e brendshëm edhe atë të jashtëm”.

“Kjo Gjykatë do të sjellë shumë sfida në të ardhmen e vendit”.

“AAK ka qenë kundër”.

Sipas Haradinajt, rikthimi për t’i votuar sërish amandamentet nuk është krejt i zakonshëm.

“Shumëçka është e çuditshme, riprocedimi është i çuditshëm”.

Gjatë gjithë periudhës kur është diskutuar kjo çështje, është shquar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu duke mbajtur qëndrim konsistent për mosvotimin e kësaj Gjykate, si dhe duke e cilësuar si një ofendim për të gjithë heronjtë dhe luftëtarët që i sollën lirinë Kosovës.

“Vota ime ishte parimore dhe e kam bazuar në besimin dhe të drejtën e popullit tim dhe në luftën çlirimtare”.

Ndërsa analistja Besa Luzha duke folur për Klan Kosovën ka rikujtuar se kjo Gjykatë ishte premtim që vetë Kosova e ka bërë në raport me ndërkombëtarët.

“Meqë Gjykata duket se është premtuar nga udhëheqësia e Kosovës, si hap për të dëshmuar se Kosova është e gatshme të përballet me adresimin e krimeve të mundshme të bëra nga pala kosovare, për ta lehtësuar ecjen e Kosovës në proceset integruese shtetet që kanë ndihmuar Kosovën në pavarësimin e saj, po deklarojnë se për proceset e mëtutjeshme është shumë me rëndësi që të ketë së paku nje deklarim qoftë edhe simbolik nga Kosova për gatishmërinë e saj”.

Luzha thotë se nëse kjo Gjykatë nuk do të votohej, Kosova do të kishte sfida në proceset ndërkombëtare në të ardhmen.

“Nëse Gjykata nuk do të votohej, ecja e Kosovës në proceset ndërkombëtare në të cilat kërkohen mbështetja e shteteve përkrahëse, do të jetë shumë e vështirë dhe me pengesa”.

“Për momentin nuk duket të ketë ndonjë zgjidhje që do t’i kënaqte dy palët, edhe pse nuk ka edhe kohë për t’i trajtuar zgjidhjet e mundshme“.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat