Përmbyllet projekti për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore

Kosova

Përmbyllet projekti për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 07:42

Përmbyllet sot projekti “Mbështetje në mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore në Kosovë”, i financuar nga Bashkimi Evropian, që ka pasur për qëllim mbështetjen e zhvillimit të kornizës rregullative dhe ndërtimit të kapaciteteve për Agjencinë për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore në Kosovë.

Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Prishtinë, gjatë periudhës dhjetor 2013-korrik 2015, ky projekt ka punuar ngushtë me stafin e Agjencisë në zhvillimin e strategjisë dhe planit të veprimit dhe në përgatitjen e rregulloreve kryesore në sektorin e mbrojtjes nga rrezatimi dhe sigurisë bërthamore, përfshirë edhe menaxhimin e mbetjeve radioaktive.
Ky projekt ka mbështetur po ashtu Agjencinë në përditësimin e inventarit të mbetjeve radioaktive dhe në përgatitjen e specifikacioneve teknike për një magazinim të përkohshëm të mbetjeve.

Aktiviteti, ku do të marrin pjesë edhe zëvendësministri për Integrime Evropiane Ramadan Ilazi, shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë Christof Stock dhe u.d. i KShE të Agjencisë për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguri Nukleare Ferki Fejza, do të mbahet në Qeverinë e Kosovës, me fillim në orën 10:00./kp

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat