Konferencë për implikimet e Asociacionit të Komunave Serbe

Kosova

Konferencë për implikimet e Asociacionit të Komunave Serbe

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 07:36

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale - KLGI organizon sot një konferencë me temë “Asociacioni/Bashkësia – dy emra, dy qëllime”,ku do të publikohen të gjeturat nga studimi lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe do të shprehen pikëpamjet e ndryshme për implikimet nga formimi i këtij Asociacioni.

“Instituti përmes raportit dhe konferencës do të provojë të nxjerrë në dritë këtë çështje, pas një studimi të detajuar si nga pikëpamja politike, juridike, krahasimore dhe duke përfshirë të gjitha palët dhe aktorët e ndërlidhshëm me çështjen”, thuhet në njoftimin për konferencën.

Gjatë konferencës do të prezantohen pikëpamjet për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe (A/BKS) nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, aktorëve ndërkombëtarë dhe pikëpamjet analitike të shoqërisë civile në Kosovë dhe Serbi.

Procesi i themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe (A/BKS), përbën ndoshta sfidën kryesore të procesit negocues në Bruksel.

Për Asociacionin nga perspektiva e institucioneve të Republikës së Kosovës do të flasë ministrja e Dialogut Edita Tahiri, me ç’rast janë paraparë edhe komente/intervenime ng a Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, përfaqësuar nga te gjitha partitë parlamentare.

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq do të flasë me temë “Perspektiva për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë Serbe”.

Pjesëmarrës tjerë në këtë ngjarje, sipas paralajmërimit, do të jenë përfaqësues të partive parlamentare, përfaqësues të institucioneve qendrore, të komunave, misioneve diplomatike të akredituara në Kosovë, shoqërisë civile etj.

Studimin do ta prezantojnë Besa Luzha, koordinatore e programeve – FES dhe Besnik Tahiri, drejtor Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale.

Konferenca do të mbahet në Sheshin 21 në Prishtinë, me fillim në orën 11:00 dhe do të zgjasë deri në orën 14:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat