Protestë me bllokim rruge kundër gurthyesve

Kosova

Protestë me bllokim rruge kundër gurthyesve

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 13:59

Protestues nga tri fshatra të Pejës bllokuan sot rrugën e Gllaviçicës për shkak të vështirësive që po ua shkaktojnë gurthyesit.

Rruga kryesore e fshatit Gllaviçicë të Pejës është bllokuar sot për qarkullim të kamionëve nga orët e hershme të mëngjesit.

Bllokimin e kanë bërë banorë të fshatrave Gllaviçicë, Leshan dhe Ramun që kanë dalë në protestë kundër gurthyesve dhe separacioneve të zhavorrit të përqendruara në këtë pjesë.

Përfaqësuesi i fshatit Gllaviçicë, Ramë Nimani, tha për KALLXO.com se janë duke protestuar kundër tetë separacioneve të zhavorrit dhe gurthyesve që me punën e tyre po ua vështirësojnë jetën.

“Gurthyesit në vazhdimësi punojnë, ja nisin pas mesnatës deri në mëngjes dhe vazhdimisht bëjnë zhurmë dhe bëjnë me pluhur gjithçka çfarë ka në fshatra. Të gjitha këto na kanë pru në këtë pikë që ne të dalim të protestojmë deri në zgjidhjen e këtij problemi madhor për këto fshatra”, deklaroi Nimani.

Ai bëri me dije se nga gurthyesit dhe seperacionet e zhavorrit po u rrezikohet uji i pijes, shtrati i lumit Lumbardh është thelluar, ndërsa sipas tij banorët po i pengon edhe zhurma.

“Kjo protestë është vazhdimësi e protestave tjera që 15 vjet e deri sot për gurthyesit që po na e bëjnë të pamundshëm jetën për mbijetesë. Kemi dalë të protestojmë për tokat tona që nuk mundem t’i ujisim. Që lumi ka shku deri 5 deri 7 metra thellësi dhe nuk mundemi me kthye ujin”, shpjegon ai.

Fermeri i fshati Gllaviçicë, Ismet Nimoni, tha së për shkak të bllokimit të kanaleve të ujitjes dhe ndotjes së tokave bujqësore e ka të vështirë t’i mbajë 50 krerë lopë në këto kushte.

“I punojë mbi 30 hektarë tokë, jo që i kam të mijat, po i kam marr me qira dhe ju blej frytin. Në këto kushte çfarë janë tani unë nuk mundem t’i mbaj ato lopë. S’mund t’i mbaj së nuk mund ta ujiti tokën, s’mund ta përpunoj. Kam shpenzuar mjaft deri tani, por kështu nuk mundem dhe duhet t’i shes lopët dhe ta mbylli fermën për shkak të këtij problemi të këtyre seperacionave”, u shpreh fermeri Nimoni.

Protestuesit deklaruan se janë të vendosur të mos lejojnë kalimin e kamionëve të gurthyesve dhe seperacioneve, derisa të plotësohen kërkesat e tyre, ndërsa u bënë thirrje institucioneve të marrin masa për parandalimin e degradimit të natyrës në këtë rajon.

Protestuesve u dha të drejtë edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri.

“Janë plotësisht të drejta shqetësimet e banorëve”, tha Muhaxheri.

Por ai nuk premtoi ndonjë zgjidhje për këto probleme, pasi tha se gurthyesit dhe separacionet nuk janë kompetencë komunale.

“Është kompetencë e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor të marrë masa. Ministria ka pasur një iniciativë bashkë me komisionin ndërministror për parandalimin e tyre, por ka mbetur kështu nga qeveria e kaluar. Tash ende nuk është marrë ndonjë masë. Të shohim çfarë masa do të marrë në të ardhmen Ministria e Planifikimit Hapësinor. Komuna nuk mundet t’i ndalojë”, deklaroi Muhaxheri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat