Fillon dezinsektimi në Komunën e Prishtinës, përfshihen edhe fshatrat

Kosova

Fillon dezinsektimi në Komunën e Prishtinës, përfshihen edhe fshatrat

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 20:59

Duke filluar nga nesër, 1 korrik, Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria komunale e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, do të fillojë me dezinsektimin hapësinor në Komunën e Prishtinës, me ç’rast për herë të parë sivjet do të dezinsektohen edhe zonat rurale të komunës, njoftoi Zyra komunale për marrëdhënie me publikun.

Procesi i dezinfektimit, sipas njoftimit, fillon pas analizimit të terrenit, si dhe analizës të bërë gjatë këtij procesi në vitin paraprak. Bazuar në këto të dhëna, sivjet për herë të parë do të dezinsektohen mbi 6.000 hektarë, duke përfshirë edhe zonat rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të insekteve.

Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 24:00, sipas datave të mëposhtme nëpër lagjet e caktuara:

E mërkure, 01 korrik: Lagjja “Aktash”, “Lagjja e Muhaxherëve”, Parku i Qytetit, “Vellushë” (Blloqet), Qendra e Qytetit dhe “Qyteza Pejton”;

E enjte, 02 korrik: Lagjet “Lakrishte”, “Dardani”, “Ulpianë”, “Veternik”, Zona Industriale dhe kazerma “Adem Jashari”;

E premte, 03 korrik: Lagjet “Tophane”, “Kodra e Trimave”, Vreshtat dhe Kolovicë dhe fshati Bërnicë;

E shtunë, 04 korrik: Lagj ja “Bregu i Diellit”, “Lagjja e Spitalit” dhe “Kalabria”;

E diel, 05 korrik: Lagjet “Taslixhe”, “Velani”, “Mat”, “Sofali”, “Taukbahqe” dhe “Gërmia”;

E hënë, 06 korrik: Lagjet “Arbëri”, “Hajvali” , fshatrat Mramur, Barilevë, Besi dhe Bardhosh.

Qytetarët këshillohen që gjatë kohës së dezinsektimit t’i mbajnë dritaret e mbyllura që mos të futen insektet brenda, si dhe për së paku një orë të kufizojnë daljet nëpër hapësirat ku është duke u kryer dezinsektimi. Gjithashtu, apelohet tek shoqatat e bletarëve për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe.

“Komuna e Prishtinës do ta monitorojë në vazhdimësi realizimin e këtij procesi, ndërsa kjo periudhë kohore është zgjedhur pasi që parashikimet klimatike sigurojnë një javë me mot të qëndrueshëm dhe pa reshje, të cilat janë parakushte themelore që procesi i dezinsektimit të jetë i efektshëm.

Procesi i dezinsektimi t do të realizohet duke u përdorur preparate të sigurta të cilat janë të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatën e Komunës, në të cilën luten të gjithë qytetarët për bashkëpunim në mënyrë që ky aktivitet të jetë sa më i suksesshëm./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat