Veseli nuk mund ta bind opozitën për Specialen

Kosova

Veseli nuk mund ta bind opozitën për Specialen

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 19:12

(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, nuk ka arritur ndonjë konsensus politik sa i përket krijimit të Gjykatës Speciale. Ai, sot mblodhi shefat e grupeve parlamentare me qëllim përafrimi të qëndrimeve rreth riprocedimit të amendamenteve Kushtetuese mirëpo, nuk pati sukses.

Pajtueshmëri mes pozitës dhe opozitës nuk po gjendet as për dhomat e specializuara. Këtë e pranoi sot edhe kreu i Kuvendit Kadri Veseli, i cili thekson se në të ardhmen duhet të gjendet një rrugë për krijimin e kësaj gjykate.

Veseli: Nuk po arrijmë konsensus me opozitën

“Duhet ta pranojmë publikisht se nuk po kemi pajtueshmëri në mes pozitës dhe opozitës për amandametet kushtetuese, por as për dhomat e specializuara, kjo është një situatë reale në të cilën jemi. Ajo çka është kryesore patëm komunikim të mirë. Do të ketë reflektim dhe do të ketë takime edhe në të ardhshmen”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit Kadri Veseli, shoti tutje se moskrijimi i kësaj Gjykate mund të vejë në pikëpyetje bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.

Opozita po vazhdon të refuzoj riprocedimin e amendamenteve Kushtetuese duke e parë si zgjidhje që Gjykata të krijohet brenda territorit të Kosovës.

Haxhiu: Të krijojmë një departament që të merret me të gjitha krimet në Kosovë

“Në kuadër të sistemit tonë të drejtësisë duhet të fuqizohet ky sistem dhe duhet të themelohet një divizion ose një departament që merret me krimet e luftës dhe jo vetëm për shqiptarët dhe për të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë... Qeveria nuk ka të drejtë ta riprocedojë, por nuk e kanë pasur këtë qëndrim vetëm subjektet opozitare, por edhe nga subjektet që janë në pushtet u tha se nuk ka të drejtë të riprocedohet", tha Haxhiu.

Një zgjedhje të tillë e shohin edhe zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Donika Kadaj – Bujupi nga kjo parti thotë se krijimi i një gjykate brenda territorit të Kosovës do t’i trajtonte edhe pretendimet e supozuara të Dick Marty-t.

Kadaj – Bujupi: Duam Gjykatë brenda Kosovës

“Ne si AAK ofruam alternativë që parasheh krijimin e Gjykatës brenda përbrenda Kosovës, brenda përbrenda Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës, e cila po ashtu parasheh që në kuadër të Gjykatës Speciale të funksionojë Gjykata e cila do të trajton deri në hollësi pretendimet e supozuara të Dick Marty-t në raportin e tij dhe të prokurorit Williamson”, tha Kadaj - Bujupi.

Por, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk është i sigurt nëse opsioni i opozitës mund të merret në konsideratë.

Ai, njoftoi se Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të enjten, por nuk do të jenë ne rend dite amendamentet ligjore për Specialen, por do të jetë vazhdimësi e seancës së te enjtes së kaluar./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat