Diplomuan 11 kadetët e Akademisë Ushtarake të FSK-së

Kosova

Diplomuan 11 kadetët e Akademisë Ushtarake të FSK-së

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 15:53

Deri sot rekrut, e prej sot nëntoger i Forcës së Sigurisë së Kosovës - Shpend Hajdini sot u betua se do t’i shërbejë atdheut në të mirë dhe në të keq pa asnjë dallim. Tashmë, ai u radhit në mesin e pjesëtarëve të FSK-së.

Bashkë me Shpendin, sot betimin e dhanë edhe 10 pjesëtarë të tjerë të rinj të FSK-së. Në ceremoninë e diplomimit, që u mbajt në kazermën e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj, ata u përgëzuan edhe nga komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ministri Haki Demolli dhe komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit të Iwoas së SHBA-ve, Timoth Orr.

Nga të diplomuarit u kërkua qe njohuritë e marra t’i zbatojnë me sukses gjatë punës së tyre si pjesëtarë të FSK-së.

Shpend Hajdini, që u zgjedh edhe kadeti më i dalluar, tha se është kënaqësi të diplomohet në akademinë ushtarake të FSK-së dhe se ky është vetëm fillimi i karrierës së tyre. Ai shtoi se mësimet e marra në këtë akademi do të transmetohen tek varësit e tyre.

“Natyrisht, diplomimi prej Akademisë Ushtarake të FSK-së nuk shënon fundin e karrierës, por natyrisht është vetëm fillimi i një karriere të bujshme. Dhe unë jam i bindur se secili prej nesh, mësimet që i kemi marrë këtu në Akademinë Ushtarake do t’i transmetojmë tek varësit tonë, nëpërmjet njësiteve të ndryshme të FSK-së, tha Hajdini.

Ministri Demolli, gjatë fjalës së tij, tha se kjo është një fazë e re e jetës së tyre, sespe ata po aktivizohen si oficerë aktivë të FSK-së.

“Unë para jush, para familjarëve tuaj, me krenari e them, se ju ia dolët, sepse me sukses i tejkaluat të gjitha sfidat që u paraqitën para jush dhe sot në këtë ditë, ju po kaloni në një fazë të re të jetës tuaj, sepse po përmbushni të gjitha kushtet dhe po aktivizoheni si oficerë aktivë në FSK dhe kësisoj po filloni karrierën tuaj të oficerit, tha Demolli.

Ai theksoi se Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë një strukturë të re, mision të ri, ku do të ketë mundësi të reja për oficerë të rinj, të cilët me punën e tyre nëpër njësitet e ndryshme, mund të japin kontributin e vet në ngritjen dhe profesionalizmin e FAK-ut.

Ndërsa, Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, nga ushtarët e tij kërkoi që të jenë të devotshëm dhe të përkushtuar në kryerjen e detyrave që u jepen.

“Unë nga ju pres që të jeni oficerë të devotshëm, këmbëngulës, të përkushtuar në kryerjen e detyrave që ju jepen. Të udhëhiqni, motivoni varësit tuaj dhe të jeni shembull për ta”, tha Rrahmani.

Në një fjalë rasti për të diplomarit në akademinë Ushtarake të Forcave të Sigurisë, komandanti i Gardës Kombëtare të Iwoas, Timoth Orr, tha se kjo është një mundësi për të ardhmen.

“Kjo është mundësia juaj të mësoni dhe të mos bëni gabime. Sot është mundësia juaj për të ardhmen, ajo çfarë kemi bërë 4 vitet e kaluara. Ju nuk jeni vetëm, këtu shfrytëzoni kohën dhe falënderoni familjen për sakrificà «n dhe mbështetjen e tyre”, tha Orr.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin familjarët e të diplomuarve, përfaqësues të ambasadave në Kosovë, si dhe ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat