Projekti për të shndërruar Dragashin në kopsht të Kosovës

Kosova

Projekti për të shndërruar Dragashin në kopsht të Kosovës

Më: 30 maj 2015 Në ora: 12:36

​E quajnë “Kopshti i Kosovës”. Me 23 mijë hektar tokë, dikur indirekt punësonte mbi 10 mijë veta. Derisa tani, kjo hapësirë në komunën e Dragashit në jug të Kosovës, kryesisht shfrytëzohet për ti kullotur bagëtitë e fshatarëve dhe shumë pak për turizëm e ekonomi bujqësore, për çfarë edhe është destinuar.

Në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, disa pjesë të ndërmarrjes “Sharr Prodhimi”, janë dhënë në shfrytëzim për investitorë të vegjël afatshkurtër.

Por, Gazeta Fjala, mëson se Qeveria e Kosovës pretendon se e ka një plan gogja ambicioz për komplet hapësirën e kësaj ndërmaarrje.

“Do ta vëmë në dispozicion të investitorëve potencial për prodhimin e mishit të gjedhit”, ka bërë të ditur ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Sipas saj, me këtë do të krijoheshin mundësi për investitorët e interesuar në industrinë e mishit që me kosto më të lirë të depërtonin në tregjet jo vetëm të rajonit.

Të dhënat e MTI-së, të cilat i posedon Gazeta Fjala, tregojnë se rreth 19,000 hektar në këtë vend llogariten si tokë e kullotave të larta, ndërsa 130 si tokë e kullotave të ulëta dhe 400 hektar janë pyje, ndërsa 250 hektar tokë e lërueshme.

Megjithatë, plani i saj duket vështirë i realizueshëm, për shkak të barrierave ligjore që ekzistojnë si në aspektin e pronësisë ashtu edhe të prokurimit.

Heqja e ndërmarrjes “Sharr Prodhimi”, nga menaxhimi i AKP-së kërkon pajtimin e Qeverisë së Kosovës si në ratin e projektit Brezovica, që për nevoja të interesit nacional të ndryshojë titullarin e pronës.

Kjo tashmë duket se është inicuar dhe pak a shumë Bajrami ka bërë të ditur për investitorët se qështja e pronësisë nuk do të jetë telashe.

Por, është ligji i prokurimit që sipas saj po i pamundëson institucioneve të vendit të negociojnë direkt me investitorët serioz dhe për këtë kanë filluar procedurat për ndryshimin e tij.

“Jemi duke punuar për ndryshimin e ligjit të prokurimit, në mënyrë që të na mundësohet të negociojmë direkt me investitorët”, ka thënë Bajrami.

Sipas saj, shumë investitorë hezitojnë të hyjnë në garë dhe proces të ofertimit, sic e kërkon aktualisht ligji i prokurimit.

Me ndryshimet e reja, pritet që tu jepet mundësi investitorëve që direkt në marrëveshje me institucionet përkatëse të kyqen në projekte të mëdha në Kosovë.

Një projekt me interes të madh, në agjendën e qeverisë shihet edhe “Sharr Prodhimi”, i cili përveq industrisë së mishit, sipas të dhënave për projektin ofron mundësi për skijim, ekoturizëm, paraglidë, ngjitja në gur, kajak,kalërim e sporte tjera.

Gjithashtu në këtë zonë parashihet të prodhohet edhe energji elektrike nga uji me kapacitet deri 10 MË dhe energji solare.

Telashet me “Sharr Prodhimin”

Për këtë tokë, Kuvendi Komunal i Dragashit dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit janë përplasur disa herë.

Madje është zhvilluar edhe proces gjyqësor ndaj kryetarit të komunës së Dragashit Salim Januzi, si dhe ish-kryesuesit të Kuvendit të Komunës, Lulzim Rifaj, se kishin tentuar të bartnin kundërligjshëm pronën e Sharr Prodhimit në pronësi të komunës.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren i ngarkonte Jenuzin dhe Rifajn se më 27 gusht 2009, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, i kanë shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” në Dragash, e cila është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Prokuroria akuzonte Jenuzajn se në cilësi të kryetarit të Komunës së Dragashit urdhëroi drejtorin e Urbanizmit dhe Kadastrës që ta bartë pronën shoqërore në sipërfaqen prej 29,7 hektarësh prej pronarit të ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” në pronë të Komunës të Dragashit.

Por, këto akuza u patën hedhur poshtë dhe kreu i komunës së Dragashit Salim Januzi, si dhe ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Lulzim Rifaj, në janar të këtij viti u shpallën të pafajshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat