Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të kenë një zë unik në Kosovë

Kosova

Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të kenë një zë unik në Kosovë

Më: 29 maj 2015 Në ora: 15:39

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka kërkuar nga drejtuesit e Lëvizjes “Vatra” që shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë unikë në kërkesat e tyre për institucionet e Kosovës, ndërkohë që ka premtuar bashkëpunim të plotë të institucioneve komunale, me përfaqësuesit e këtij subjekti politik. "Përkrahja jonë në kërkesat tuaja të arsyeshme nuk do të mungojë asnjëherë", ka thënë ajo.

Gjatë një pritje për kryetaren e re të Lëvizjes “Vatra” Gentiana Shabani dhe delegacionin e saj, Bunjaku - Rexhepi ka thënë se Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e fundit, ka miratuar një kërkesë të këtij subjekti, të cilën e ka prezantuar Sejdullah Kadriu, si përfaqësues i zgjedhur i qytetarëve të Luginës së Preshevës në vendimmarrjen e këtushme komunale, për t`i rekomanduar qeverisë së Kosovës krijimin e lehtësirave për pajisje me dokumente personale për banorët e zhvendosur nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

“Përkrahja jonë si institucione komunale nuk do të mungojë asnjëherë, brenda kufijve ligjorë”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi, duke i këshilluar grupimet politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilat veprojnë në Kosovë, që të jenë bashkë në kërkesat e tyre të arsyeshme.

Duke nënvizuar angazhimin e Komunës së Gjilanit në përkrahje të Luginës së Preshevës, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se këtu është hapur Zyra Ndërlidhëse si dhe është themeluar Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar. Kurse në Kuvendin Komunal, Lëvizja “Vatra” përfaqësohet me një anërtar.

Ajo është shprehur e kënaqur që Lëvizja “Vatra” i është besuar një femre, për ta udhëhequr, duke thënë se nuk ka dyshim që Gentina Shabani do ta arsyetojë këtë besim të banorëve të Luginës së Preshevës.

Ndërkaq, Gentiana Shabani, e cila vizitën e parë si kryetare e “Vatrës” e ka bërë pikërisht në Kuvendin Komunal të Gjilanit, të cilin e udhëheq Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se pret që bashkëpunuimi i mirë me autoritetet e këtushme komunale, të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat