Në Mitrovicë debatohet për rindërtimit të shtëpive shqiptare te “Kroi i Vitakut”

Kosova

Në Mitrovicë debatohet për rindërtimit të shtëpive shqiptare te “Kroi i Vitakut”

Më: 28 maj 2015 Në ora: 16:46

Mbledhja e sotme e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, drejtuar nga Bislim Imeri, kryesues i Kuvendit të Komunës, ka filluar me një debat bukur të nxehtë rreth çështjes së veriut, konkretisht ngecjes në procesin e rindërtimit të shtëpive shqiptare në lagjen veriore “Kroi i Vitakut”.
Rrustem Musa nga grupi i këshilltarëve të PDK-së, kërkoj nga ekzekutivi i Komunës, të tregoj se çka ka punuar komisioni i themeluar nga Kuvendi, me qëllimin e vetëm për procesin e rindërtimit në veri. Ai vlerësoj se gjendje vetëm sa është keqësuar, pasi që shqiptarët nuk po lejohen të rindërtojnë shtëpi individuale, ndërkaq serbët po ndërtojnë banesa.
Në këtë drejtim kanë diskutuar edhe disa këshilltarë të tjerë nga radhët e PDK-së, të cilët po ashtu kërkuan sqarime rreth këtij procesi.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i njoftoj kuvendarët me të gjitha angazhimet rreth këtij procesi që janë bërë kohës së fundit. Ai foli për takimet që janë mbajtur përfaqësuesit e shqiptarëve dhe serbëve të lagjes “Krpi i Vitakut”, me pjesëmarrjen e tij dhe të kryetarit të Komunës së Veriut, Goran Rakiq, që kanë rezultuar me themelimin nga ana e Qeverisë, të një grupi ndërministror që do të merret me tërë problematikën e rindërtimit në këtë lagje. Në këtë grup ndërministror do të jenë edhe kryetarët e dy komunave dhe nga dy përfaqësues të dyja komuniteteve.
Nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, tha se është obligim i tij moral në rend të parë, të theksoj se punët që ka kryer ekzekutivi gjatë kësaj periudhe janë të panumërta. Sipas tij, kryetari Bahtiri dhe ekzekutivi, kanë bërë shumë përpjekje dhe ende po bëjnë përpjekje maksimale për rindërtimin e shtëpive shqiptare në veri. “Me këtë angazhim ne kemi arrit që ta përfshijmë edhe Qeverinë e Kosovës në këtë proces, e që edhe ashtu Qeveria duhet të jetë përgjegjëse, por në anën tjetër edhe Komuna do të vazhdoj të angazhohet për gjetjen e zgjidhjes, ndonëse nuk është në mandatin e saj”, tha Kamberi.
Në këtë mbledhje me disa vërejtje dhe sugjerime, u miratuan këto pika të rendit të ditës; Draft-rregullorja mbi përgjegjësinë disciplinore dhe material të punonjësve në Institucionet Edukativo-Arsimore dhe Aftësuese, Propozim-vendimi për subvencionimin e projektit “Qendra Rinore në Mitrovicë”, e OJQ-së Valët e Paqës, Propozim-vendimi për subvencionimin e KB“Trepça”-meshkujt, Propozim-vendimi për shpalljen e ankandit publik, për shitjen e automjeteve jashtë përdorimi, në pronësi të Komunës, si dhe Propozimi për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale për ndërtimin e një çerdheje për fëmijë.
Përveç diskutimeve për pikat e rendit të ditës të cekura më lartë, në mbledhje u diskutua edhe për Raportin financiar për periudhën janar-mars 2015, ku kryesisht u debatua rreth të hyrave vetjake dhe investimeve kapitale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat