Vetëvendosje ka frikë se edhe në ushtri do të ketë ndarje etnike

Kosova

Vetëvendosje ka frikë se edhe në ushtri do të ketë ndarje etnike

Më: 24 maj 2015 Në ora: 16:16

Komiteti për Mbrojtje dhe Siguri në Lëvizjen Vetëvendosje sot mbajti konferencë për medie ku paralajmëroi për rrezikun që po i kanoset vendit nga tendenca për ndarjen etnike të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Deputeti Rexhep Selimi , paralajmëroi se në emër të së drejtës që Kosova të ketë ushtrinë e saj, po na kanoset rreziku që përmes mundësisë së vetos nga Lista Serbe, të kushtëzohet krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, me ndarjen e këtij institucioni në baza etnike. Marrëveshja e arritur në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, e ndan Policinë e Kosovës në baza etnike. I njëjti model po tentohet të aplikohet edhe tek Forcat e Armatosura të Kosovës.

Selimi: Institucionet nuk e mohojnë ndarjen etnike

“Ua kujtojë që marrëveshja e arritur në Bruksel mes Thaçit dhe Daçiqit në fushën e sigurisë e ndan Policinë e Kosovës në baza etnike. Kështu që ne ngrisim paralajmërimet apo rrezikun që mund të ndodh e njëjta gjë dhe që duket që nuk është mohuar akoma nga institucionet tona që ka një kërkesë dhe rrezik të tillë, kur dihet se çfarë përfaqëson Lista Serbe nuk duhet të çuditemi se në rast të mos mundësisë për ta penguar ata do ta kushtëzojnë ndarjen etnike të FAK-ut”, ka thënë Selimi.

Ai po ashtu shtoi që ushtria e Kosovës nuk duhet të jetë e shpërndarë në tavolina politike por duhet të jetë një ushtri që garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Selimi, tha se krijimi i Foracave të Armatosura është e drejtë dhe nevojë e qytetarëve të Kosovës.

Lëvizja “Vetëvendosje” përmes sllajdeve ka paraqitur skemën e pesë zonave të Gardës Kombëtare, nga e cila njëra prej tyre do të udhëhiqet nga komuniteti serb. Kjo sipas tyre do të krijojë mundësi të ndarjes etnike dhe do të ishte një vazhdimësi e gabimeve politike të pasuar nga qeveria e kaluar.

Shemsi Syla, udhëheqës i këtij Komitetit shprehu shqetësimet e tij që njëra nga pesë zonat e gardës kombëtare të parashikuara si regjimente që do të udhëhiqet nga komuniteti serb do të rrezikonte funksionimin normal të FAK-ut.

Syla: Regjimenti serb, cenon funksionalizimin

“Skema e strukturës që e keni në ekran është një prej shqetësimeve që sot ju kemi ftuar që njëkohësisht përmes juve të paralajmërojmë të gjithë opinionin që ekziston mundësia që në vazhdën e gabimeve të shumta që ka bërë qeveria, do të mund të hyjë në një gabim fatal duke e ndarë edhe ushtrinë e Kosovës, meqenëse 5 zonat e parapara si regjimente të gardës kombëtare, parashihen që në mesin e tyre të jetë një regjiment që do ti takojë serbëve. Krijimi i një regjimenti me udhëheqësi serbe është rrezik shumë i madh sepse rrezikon vetë ushtrinë, ai nuk besojmë dhe nuk mund të jetë ushtri apo ta ushtrojë funksionin e vetë ashtu siç ne mendojmë.” tha Syla.

Shemsi Syla, i cili ishte epror i UÇK-së në Zonën e Karadakut tha se ky regjiment do të lëkundte dhe cenonte sovranitetin dhe se ata janë kundër kësaj pra janë për një ushtri që do t’i shërbente sovranitetit , mbrojtjes së territorit, mbrojtjes së qytetarëve dhe do të ishte garanci për lirinë e cila i ka kushtuar shtrenjtë popullit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat