Samiti i SEECP, Veseli: Kemi përmbushur kriteret për vizat

Kosova

Samiti i SEECP, Veseli: Kemi përmbushur kriteret për vizat

Më: 23 maj 2015 Në ora: 15:35

Në ditën e dytë të samitit të SEECP-së që po zhvillon punimet në Tiranë janë mbledhur kryeparlamentarët e vendeve të Ballkanit, me ç’rasti kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se të gjithë në këtë samit besojnë në paqe dhe stabilitet, si dhe në demokraci dhe politikë të fqinjësisë së mirë me kuptimin reciprok.

Samiti është drejtuar nga kryeparlamentari shqiptar Ilir Meta, i cili në fjalën e tij deklaroi se me rëndësi janë projektet ekonomike dhe infrastrukturore të cilat duhet të shkojnë paralel me procesin e integrimit të rajonit në BE; dhe se ndërveprimi, ndërlidhja dhe heqja e barrierave do gjeneronin më shumë mundësi zhvillimi për çdo vend.

Meta: Bashkëpunim rajonal përmes heqjes së barrierave

“Bashkëpunimi rajonal konkretizohet vetëm përmes përkushtimit real ndaj heqjes së barrierave, fuqizimit të shkëmbimeve tregtare, konsolidimit të zonave rajonale ekonomike dhe zbatimit të vërtetë të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Ne duhet ta trajtojmë rajonin tonë si një hapësirë të përbashkët për të konkurruar më denjësisht dhe në mënyrë më të suksesshme në tregjet globale. Ndaj dhe ndërveprimi dhe ndërlidhja duhet të jenë prioritetet tona kryesore. Ndërlidhje përmes përforcimit të rrjetit infrastrukturor, rrugor e hekurudhor dhe forcimit të lidhjeve energjike për të ardhmen,” tha Ilir Meta, kreu i Kuvendit të Shqipërisë.

Pjesë e takimit ka qenë edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli i cili në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë që ka për të ardhmen e Ballkanit, politika e fqinjësisë së mirë.

Veseli theksoi se Kosova ka dëshmuar se është një faktor paqeje; stabiliteti dhe progresi në rajon; dhe se këto elemente janë rruga e vetme për zhvillimin dhe përparimin e rajonit tonë.

Veseli: Kosova është faktor paqeje

"Ne jemi këtu sot të gjithë së bashku, sepse besojmë në të njëjtat vlera; dhe ato janë paqja dhe stabiliteti në këtë pjesë të Evropës; demokracia dhe të drejtat e njeriut; politika e fqinjësisë së mirë me kuptimin reciprok dhe bashkëpunimi ekonomik....Kosova është dëshmuar dhe po dëshmohet si një faktor paqeje; stabiliteti dhe progresi në rajon. Ne besojmë se bashkëpunimi gjithëpërfshirës është rruga e vetme për zhvillimin dhe përparimin e rajonit tonë," tha Kadri Veseli,kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Dialogu dhe komunikimi, shtoi Veseli, nuk kanë alternativë tjetër në Evropë, dhe se Kosova synon integrimin e vet në Bashkimin Evropian si pjesë natyrale e saj.

Veseli: Kemi përmbushur kriteret për vizat

"Tani jemi duke punuar me të gjitha kapacitetet për të zënë ritmin e integrimeve evropiane. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe tani jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim-asoocimit me BE-në. Kosova synon integrimin e vet në Bashkimin Evropian si pjesë natyrale e saj. Ne jemi shtet i ri dhe synojmë perspektivë bashkëpunuese dhe integruese me fqinjët tanë. Ne jemi të përkushtuar për fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët tanë. Ne besojmë se argumentet tona do t’i qartësojnë dilemat e përkohshme përfshirë edhe fqinjin tonë në Republikën e Serbisë ,"tha më tej Kadri Veseli.

Më tej, Veseli u ndal në dialogun me Serbinë ndërsa tha se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me çdo shtet./KP

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat