Krasniqi: Serbia, po bënë agresion “paqësor” në Kosovë

Kosova

Krasniqi: Serbia, po bënë agresion “paqësor” në Kosovë

Më: 6 maj 2015 Në ora: 22:00

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj hapjes së zyrës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit të Serbisë, në komunën e Sharrit.

Ai përmes rrjetit social, Facebook, u bënë thirrje krerëve të institucioneve për vëmendje në këtë situatë, që në shkrim Krasniqi e quan agresion “paqësor”.

Ja postimi i plotë i Krasniqit:

Nuk e di nëse ju krerët e koalicionit qeverisës (Mustafa-Thaçi) i keni lexuar sot mediat të cilat po shkruajnë për vizitën e Vulinit (me këmishë të zezë) në komunën e Sharrit (Dragashit) për të hapur zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit të Serbisë. Sipas këmishëziut Vulin, i cili ishte i “kënaqur që tani jemi në gjendje të hapim zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit (të Serbisë) për të punësuar njerëz të rinj”.
Kjo që po ndodh dhe jo vetëm më ketë rast nga përfaqësues të Serbisë në Kosovë, nuk është më pak sesa një agresion “paqësor” në Republikën e Kosovës. Ky agresion “paqësor” është duke u bërë me lejen e dy Kryeministrave tanë dhe bazën e ka në bisedimet politike te Brukselit dhe marrëveshjes për koalicionin qeverisës të arritur në Rashkë në mes të LDK-së, PDK-së dhe Listës Serbe.
Po me gjasë kjo nuk është fundi, vazhdimi do të jetë me operatorin e tretë mobil, bashkësinë e komunave serbe e pastaj do të vazhdohet me Liqenin e Ujmanit dhe Trepçën etj. Një gjë është e sigurt, krerët e koalicionit qeverisës, janë në pozicione për të mbrojtur vetëm veten e tyre dhe assesi nuk janë të interesuar ta mbrojnë interesin vital të Republikës së Kosovës.
Guri është duke u rrokullisur, Kryeministrat tanë nuk kanë energji për të penguar rrokullisjen! Mbase dëshirojnë ta vazhdojnë “bashkim vëllazërimin”! Ky ishte një kombinim fatal për qeverisje!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat