​LDK-ja e Ferizajt shënon 25 vjetorin e themelimit

Kosova

​LDK-ja e Ferizajt shënon 25 vjetorin e themelimit

Më: 5 maj 2015 Në ora: 20:01

Dega e LDK-së në Ferizaj ka shënuar të martën pasdite 25 vjetorin e themelimit me një tubim në të cilën morën pjesë anëtarë, simpatizantë e drejtues të këtij subjekti.

Me këtë rast kryetari i LDK-së dhe njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se LDK-ja ka qenë këto 25 vjet vizionare e lirisë, demokracisë, lirisë dhe parti kryesore shtetformuese që ka lënë gjurmë të forta në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

"LDK që për fat të mirë ka kthyer pushtetin në Ferizaj, po tregon suksese të mrekullueshme dhe këto suksese po shprehen drejtpërsëdrejti në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Ferizajt. Ne sot jemi në një situatë të merremi me probleme konkrete, sot suksesi i LDK-së, suksesi i qeverisjes në komunë por edhe i qeverisjes në qendër mund të matet me atë se sa ne po kontribuojmë që çdo ditë ta përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë. Sa ne po kontribuojmë që ta ndërtojmë shtetin mbi bazat që i kanë vënë themeluesit e LDK-së", ka thënë Mustafa.

Për më tepër i pari i LDK-së, Isa Mustafa, ka vë në dukje se LDK-ja është partia që më së miri i ka ndërtuar raportet e saja të brendshme.

"Pa marr parasysh se kush çka flet ne e shohim se në LDK zhvillohen proceset e plota demokratike. E shohim që edhe në këto zgjedhje në të gjitha nëndegët dhe degët tona se këto procese janë të plota demokratike dhe se ndryshimet që ndodhin në LDK ndodhin me votën e lirë me votën e fshehtë që nuk aplikohet në asnjë subjekt dhe në asnjë parti tjetër në Kosovë", ka shtuar Mustafa, teksa ka thënë se LDK-ja si parti e qendrës së djathtë dhe pjesë e Partive Popullore të Evropës është subjekti që më së miri ka artikuluar kërkesat e të gjitha strukturave pa dallim moshe e gjinie.

Në anën tjetër kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj dhe kryetari i kësaj komune, Muharrem Sfarqa,tha se LDK-ja e Ferizajt u krijua 25 vite më parë si refleksion i një degradimi të përgjithshëm politik, ekonomik e kulturor.

"LDK-ja në Ferizaj u bë jo vetëm pjesë e pandashme e jetës shoqërore, politike, ekonomike, arsimore e sportive, por ajo mori rolin prijës në të gjitha proceset e viteve të 90-ta, falë udhëheqjes së kryetarit e më vonë presidentit të papërsëritshëm Ibrahim Rugova. Nuk mund të mos e theksoj faktin se ajo me gjithë rëniet dhe ngrihet herë pas hershme ka qenë pjesë kryesore e krijimit dhe udhëheqjes së institucioneve të shtetit të Kosovës gjatë këtyre 25 vjetëve", ka thënë Sfarqa.

Në këtë jubile dega e LDK-së ka ndarë mirënjohje për aktivistët që kanë dhënë kontribut në organizimin e zgjedhjeve të fundit. Me mirënjohjen "Dr Ibrahim Rugova" është nderuar veprimtari i nëndegës së parë të këtij subjekti Ismajl Nazifi dhe post mortum, Haxhi Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat