​Alarmohen institucionet, Kosova nuk i ka gati kriteret për liberalizim

Kosova

​Alarmohen institucionet, Kosova nuk i ka gati kriteret për liberalizim

Më: 4 maj 2015 Në ora: 10:27

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, për të diskutuar rreth kritereve që Kosova duhet të plotësojë për të marrë liberalizimin e vizave.

Në këtë takim ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar, u theksua se ka ende punë për të plotësuar kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave.

Kur Kosovës i ka mbetur edhe pak kohë që të dërgojë raportin për përmbushjen e kritereve, ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku, tha se ky raport është në gjendje të keqe dhe si i tillë në çfarë gjendje është tani nuk paraqet përmbushje të kritereve.

Presidentja e vendit Atifete Jahjaga, kërkoi që institucionet të përmbushin detyrimet që kanë dhe të mos vonohen edhe më tej në përmbushjen e detyrave për liberalizim, duke theksuar në të njëjtën kohë se ky proces është vonuar edhe nga vala e fundit e migrimeve.

Edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, bëri thirrje Bashkimit Evropian, më konkretisht përfaqësuesit të BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar që të ndikojë në Bashkimin Evropian dhe shqiptarët e Kosovës të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në zonën Shëngen.

Edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa bëri të njëjtën thirrje duke përmendur vështirësitë që kanë qytetarët e Kosovës për aplikim për viza. Ky i fundit përmendi rastet e studentëve, të sëmurëve që kërkojnë shërimin jashtë vendit, personat që familjarët i kanë jashtë vendit dhe nuk mund t’i vizitojnë për shkak të mos-liberalizimit.

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane

I nderuar Kryetar i Kuvendit, Veseli

I nderuar Kryeministër, Mustafa

Të nderuar ministra,

Përfaqësues të tjerë të ekzekutivit, të komisioneve parlamentare dhe të gjyqësorit,

Përfaqësues të shoqërisë civile,

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, zoti Zhbogar,

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë që nën ombrellën e Këshillit Kombëtare të Integrimeve Evropiane kësaj here të takohemi për të diskutuar përparimin në përmbushjen e kritereve të mbetura që na janë vënë nga Komisioni Evropian si kërkesa kryesor për të mundësuar lëvizjen e lirë, pa viza, të qytetarëve të Republikës së Kosovës në shumicën e shteteve evropiane.

Ky takim i gjerë i Këshillit ka për qëllim një vlerësim objektiv të këtij udhërrëfyesi kriteresh për liberalizim të vizave, dhe është i fundit në vazhdën e takimeve më të kufizuara që kam mbajtur me krerët e institucioneve, gjegjësisht me ministrat e linjës, gjatë muajve të fundit për t’i koordinuar veprimet tona dhe për t’i dhënë shtytje këtij procesi të rëndësishëm për Kosovën.

Jemi në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve të Komisionit Evropian dhe vlerësoj që përmbushja e këtyre kritereve tash është çështje e vullnetit tonë politik për ta përmbyllur këtë proces. Kërkesat e mbetura që i kemi përpara varen tërësisht nga ne dhe ekziston një pajtim i përgjithshëm që në fund të këtij muaji, pra në fund të muajit maj, të jemi në gjendje ta dorëzojmë raportin dhe ta ftojmë Komisionin për të vlerësuar përmbushjen e standardeve me bindje për një vlerësim pozitiv gjatë këtij viti që do t’i hapte rrugë procesit të liberalizimit vitin e ardhshëm. Andaj sot ju bëj thirrje që ta shfrytëzojmë këtë takim të përbashkët për t’u sqaruar dhe për të tejkaluar çdo pengesë institucionale apo ligjore që do të na mundësonte plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian.

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë gjysmëvit kemi pasur sfida dhe tensionime të ndryshme të cilat duhet t’i kuptojmë si thirrje për të thelluar reformat në Republikën e Kosovës dhe për t’i hapur rrugë perspektivës ekonomike për qytetarët tanë.

Në muajt e parë të vitit, si institucione dhe si shoqëri u përballëm me skena të vështira të migrimit ilegal të qytetarëve tanë nëpër shtetet evropiane. Nga operacionet e fundit të mekanizmave të rendit dhe sigurisë u bë e qartë që qytetarët tanë kishin rënë pre e rrjeteve të organizuara kriminale që shtriheshin nga Kosova, Serbia e deri në Sllovaki dhe Austri. Pa dyshim, lehtësimet në lëvizjen e qytetarëve në shtetin fqinj të Serbisë dhe neglizhenca e autoriteteve serbe për t’i kontrolluar kufijtë me shtetet e Schengenit ishin faktorë kontribuues të kësaj vale të migrimit. Por, ato që na mbetet ne si përfaqësues institucional të Kosovës t’i adresojmë me urgjencë janë pakënaqësitë e qytetarëve tanë, të ashtuquajturit faktor nxitës të këtij fenomeni. Ato ditë kam vizituar fshatra dhe qytete, kam takuar gra dhe burra që kanë sakrifikuar një jetë të tërë për Kosovën. Ne duhet ta kthejmë besimin e tyre në shtetndërtimin e Kosovës.

Nga aspekti i përmbushjes së obligimeve të Kosovës, reagimi institucional për ta ndalur migrimin ilegal ishte i shpejtë dhe si rezultat nuk pres që ky episod i dhembshëm të ndikojë negativisht në procesin e liberalizimit të vizave.

Por, mungesa e rezultateve në vendosjen e rendit dhe ligjit dhe krijimin e shtetit të së drejtës do të jetë faktori përcaktues për shpejtësinë me të cilën Kosova do t’iu hapë rrugë investimeve të huaja në vend aq të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe të ecë drejt Bashkimit Evropian për ta realizuar vizionin tonë që na bashkon.

Praktikave korruptive duhet t’iu vihet fund, sepse ato po lëkundin besimin e qytetarëve tanë dhe po shkatërrojnë shpresën e tyre për ta bërë Kosovën vend të perspektivës dhe të prosperitetit, koncept të qëndrueshëm që qytetarët tanë duan ta quajnë shtëpi të përhershme.

Dhe në fund, meqë takimi i Këshillit koincidon me manifestimet për lirinë e shtypit, kësaj hallke jetike për zhvillimin e demokracisë, dua t’i inkurajoj gazetarët e Kosovës që të synojnë ndërtimin e një medie të lirë, të pavarur, sepse një media e pandikuar edhe politikisht është thelbësore për zhvillimin e shoqërisë dhe për përparimin e shtetit.

Çdo ndikim mbi të, çdo presion apo edhe dhunë ndaj saj është cenim i lirisë së shoqërisë në përgjithësi dhe përpjekje për të shtypur mendimin e lirë. Zhvillimi i lirë i shtypit do ta ndihmojë dhe do ta forcojë demokracinë tonë, duke i dhënë kuptim përpjekjeve tona ne përmbushjen e standardeve drejt ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe të zhvilluar, i gatshëm për të qenë pjesë e barabartë e vendeve të Bashkimit Evropian.

Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në takim.

Faleminderit e nderuar presidente Jahjaga,
I nderuar kryetar i Kuvendit z. Veseli,
I nderuar përfaqësues i Bashkimit Evropian, z. Zhbogar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, ministra, përfaqësues të organeve të drejtësisë, prokurorisë, të asociacionit të bizneseve, të shoqërisë civile.

Ne sot po paraqesim dhe po vlerësojmë progresin e arritur në agjendën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë sa i përket liberalizimit të vizave. Mirëpo, po e shfrytëzoj këtë rast të përgëzoj institucionet e Republikës së Kosovës për miratimin e propozimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim nga ana e Komisionit Evropian.

Kjo në fakt, është një arritje shumë e madhe për Kosovën. Kjo tregon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave në kuadër të agjendës evropiane dhe në anën tjetër heq çfarëdo dyshimi rreth perspektivës evropiane të Kosovës. Miratimi nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian dhe më pastaj nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e saj në fillim të vitit të ardhshëm paraqet marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim kërkon një angazhim të madh të gjitha institucioneve të vendit dhe mund të them, me përkushtimin më të madh, që puna do të vazhdoj edhe më tutje me ritëm të shtuar dhe në mënyrë konkrete në mënyrë që ne të ballafaqohemi dhe t’i mundim të gjitha sfidat me të cilat do të ballafaqohemi gjatë kësaj periudhe.

Poashtu, jemi dëshmitar të një përkushtimi të të gjitha institucioneve të Kosovës për zbatimin e të gjitha kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave si dhe për zbatimin e rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian. Për këtë dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për punën e madhe dhe angazhimin e treguar në përmbushjen e detyrimeve dhe obligimeve në këtë proces.

Progresi i cili është arritur viteve të fundit qoftë në konsolidimin e kornizës ligjore dhe strategjike, pastaj në konsolidimin e mekanizmave institucionalë dhe rezultatet e prekshme të arritura në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit, është reflektuar në raportet e fundit të Komisionit Evropian.

Njëkohësisht dëshiroj të theksoj se ky progres është vlerësuar edhe nga ana e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Megjithatë, jemi poashtu të vetëdijshëm për kriteret e mbetura dhe të paadresuara për të cilat institucionet tona janë zotuar t’i përmbyllin deri më 15 maj. Jemi zotuar që institucionet tona ta dorëzojnë raportin final deri në fund të majit, ku do të pasqyrohet progresi në përmbylljen e kritereve të mbetura.

Si kryeministër do ta përcjell këtë proces me vëmendje të shtuar dhe do të kërkoj raport të rregullt deri tek finalizimi i raportit nga ministritë përkatëse. Një fushë tjetër ku kërkohet progres dhe rezultat konkrete është gjendja civile dhe përmbyllja e sistemit të ri të gjendjes civile që është zvarritur për pasojë të sistemit të tenderimit.

Pakoja e ligjeve të gjyqësorit, të drejtave të njeriut, të prokurimit publik do të kaloj në Kuvend së bashku me ligjin për përgjimet dhe krahas aprovimit do të merren masa të menjëhershme për zbatimin e këtyre ligjeve sepse ndërlidhen me aspekte të caktuara të liberalizimit të vizave.

Të nderuar të pranishëm,

Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për efektet që mund të ketë pasur fluksi tepër i lartë i migrimit nga Kosova në fillim të këtij viti drejt vendeve të Bashkimit Evropian, por poashtu dua të theksoj se ne kemi arritur ta ndalim këtë fluks dhe ta normalizojmë gjendjen dhe kemi treguar gatishmërinë tonë që t’i pranojmë të gjithë ata që kanë migruar. Po marrim masa të politikave ekonomike për të krijuar kushte për jetë dhe punë në Kosovë, dhe perspektivë afatgjate të qytetarëve tanë. Mund të them se të gjitha ministritë po e bëjnë punën e tyre në këtë proces.

Marrja e vizave në Kosovë është një proces shumë i vështirë dhe i ndërlikuar, si për ata që bëjnë biznese, si për ata që dëshirojnë të shkojnë dhe të shkollohen dhe të studiojnë jashtë, ata që kanë nevojë të shërohen kur nuk gjejnë zgjidhje në Kosovë, e poashtu edhe ata që shkojnë të vizitojnë të afërmit e tyre.

Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që kosovarët të mbesin edhe një kohë në geto, sepse vazhdimi i një gjendjeje të tillë do të ishte i dëmshëm si për Kosovën ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Qeveria e Kosovës do të bëj përpjekje maksimale që t’i përmbush të gjitha detyrimet, që t’i kryejë detyrat që i ka bazuar në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Prandaj, vlerësoj se Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet t’i sigurojnë Kosovës një vlerësim të mirëfilltë, transparent dhe të drejtë, as më shumë as më pak se sa çfarë është bërë me vendet tjera të rajonit.

Ju faleminderit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat