AVONET: Kryetari i Ferizajt i vë drynin komunës për 1 orë

Kosova

AVONET: Kryetari i Ferizajt i vë drynin komunës për 1 orë

Më: 28 prill 2015 Në ora: 12:16

Organizata joqeveritare AVONET, e cila monitoron komunën e Ferizajt, ka reaguar sot ndaj mbylljes së dyerve të komunës që është bërë sot për qytetarët për rreth 1 orë.

Përmes një komunikate për media AVONET thotë se në asnjë mënyrë nuk po mund ta kuptojnë se çfarë ka ngjarë me komunën e Ferizajt, e cila kjo e fundit kishte vendosur që të mbyll dyert për qytetarët e saj.

“Sot, komuna e Ferizajt ndërmjet orës 08:05 deri në 09:00 ka mbyllur dyert e saj pa dhënë asnjë asnjë sqarim apo pa lajmëruar përmes njoftimit opinionin ferizajas. Komuna e Ferizaj nuk ka të drejtë që të mohon të drejtën e qasjes së qytetarëve të saj për të realizuar kërkesat e tyre në shërbimet që ofron komuna”, thuhet në reagimin e AVONET.

Kjo organizatë joqeveritare e cilëson këtë veprim si skandaloz dhe se sipas tyre është në kundërshtim me Ligjin mbi vetëqeverisjen Lokale dhe ligjet që rregullojnë lirinë dhe të drejtat e qytetarëve.

AVONET kërkon nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, që ta ndërpresë këtë formë të paparë deri më sot.

“Kjo ngjarje e shëmtuar e pushtetit komunal për ta uzurpuar komunën paraqet një prej shkeljeve të shumta që bënë institucioni i Komunës së Ferizajt duke na kujtuar qeverisjen e Adem Salihajt, kur tentonte të kontrollonte edhe qytetarin e lirë të Komunës së Ferizajt”, thuhet në reagimin e AVONET.

Kjo organizatë i bënë thirrje po ashtu edhe MAPL-së dhe organeve të drejtësisë që ta hetojnë këtë rast për mohimin e drejtës së lirë të qytetarëve në kryerjen e shërbimeve komunale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat