Kërkohet meremetimi dhe fasadimi i ndërtesave të vjetra

Kosova

Kërkohet meremetimi dhe fasadimi i ndërtesave të vjetra

Më: 27 prill 2015 Në ora: 14:04

Forumi Politik i të Rinjve ditë më parë u ka kërkuar institucioneve të pushtetit lokal të Ferizajt që në kuadër të buxhetit të gjejnë mjete për meremetimin dhe fasadimin e objekteve publike të banimit kolektiv.

Drejtues të këtij formacioni këtë kërkesë e kanë arsyetuar me faktin se këto objekte në këtë gjendje paraqesin rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve. FPR-ja i kujton pushtetit rastet kur pjesë të fasadave dhe ballkoneve kanë qenë rrezik potencial për kalimtarët e rastit.

"Komuna e Ferizajt duhet të angazhojë një kompani private apo të krijojë ndërmarrjen për mirëmbajtje banesore, në mënyrë që të evitohen këto probleme dhe të rrisin sigurinë e qytetarëve të Ferizajt. Kjo çështje është ngritur disa herë nga akterë të shoqërisë civile, mirëpo Komuna e Ferizajt përveç paaftësisë për të krijuar një ndërmarrje të tillë për mirëmbajtje, nuk ka ndarë as fonde publike që do të përdoreshin kryekëput për këtë problematikë", ka thënë Albion Sherifi, drejtor i kësaj organizate, duke shfaqur drojën për sigurinë e qytetarëve që lëvizin përgjatë rrugëve kryesore, me ç'rast mund të pësojë nga gjësendet që befas mund të bien.

"Kuvendi Komunal në Ferizaj ka ndërmarrë disa veprime duke larguar mbajtëset e luleve, hequr rregullimet nga ballkonet e këtyre ndërtesave, mirëpo ky problem vazhdon të shqetësojë qytetarët e Ferizajt, për shkakun se rrezik permanent paraqet vetë fasada e ndërtesës përkatëse. Deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje, qytetarët janë të detyruar të lëvizin me kujdes të shtuar në zonat ku ndodhen këto ndërtesa, e që fatkeqësisht është zona më e frekuentuar- qendra e qytetit", ka thënë drejtori i FPR-së në Ferizaj.

Duke iu referuar kësaj kërkese, drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mjedis, Faik Grainca, ka thënë për Kosovapress se komuna e Ferizajt në vazhdimësi ka pasur ide për fasadimin e këtyre ndërtesave, por në mungesë të mjeteve financiare dhe për shkak të nevojave tjera, ky projekt është shtyrë deri në rishikim të buxhetit.

"Komuna ka pasur ide për meremetimin e këtyre ndërtesave, por në mungesë të mjeteve dhe nevojave tepër të mëdha për implementimin e projekteve tjera me rëndësi ky projekt është shtyrë. Brenda muajit kemi me bërë rishikimin e buxhetit dhe Drejtoria e Urbanizimit është duke e insistuar që të ndahen mjete për fasadimin e këtyre ndërtesave, sidomos të atyre që janë në zonën e qendrës së qytetit", ka thënë Grainca.

Merret vesh se një komision komunal është duke e verifikuar gjendjen e këtyre objekteve në teren dhe vetëm pasi të kryhet ky verifikim do të dihet edhe gjendja e tyre. Zyrtarët komunal thonë se këto objekte janë të vjetruara dhe veç kostos së lartë për mirëmbajtje po paraqesin rrezik për jetë e qytetarëve.

"Ne kemi dhënë edhe një ide që ato edhe të rrënohen dhe të shikohet mundësia që nëpërmjet partneritetit publiko-privat të bëhet ndërtimi i objekteve të reja për arsye se edhe mirëmbajtja e tyre kushton bukur shumë", ka shtuar drejtori i urbanizmit, Faik Grainca.

Ndryshe, pjesë të fasadave dhe ballkoneve të ndërtesave publike kanë qenë rrezik potencial për kalimtarët e rastit sidomos gjatë kohës së reshjeve dhe erërave të fuqishme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat