​“Vrapo për autizëm” mblodhi 5 mijë euro

Kosova

​“Vrapo për autizëm” mblodhi 5 mijë euro

Më: 26 prill 2015 Në ora: 15:48

“Mini Maratona 5 Km”, në të cilën morën pjesë afër 2 mijë vullnetarë, arriti të grumbullojë rreth 5 mijë euro, të cilat dedikohen për fëmijët me autizëm.

Në “Vrapo për Autizëm”, kishte shumë të rritur, madje edhe fëmijë të cilët shprehen vullnetin për të vrapuar në një gjatësi prej 5 kilometrave, me qëllim të promovimit të jetës së shëndetshme, promovimit të individualitetit dhe energjisë pozitive të secilit pjesëmarrës dhe njëkohësisht duke i dhënë kontribut përsëri komunitetit.

Ata kontribuuan me aq sa patën mundësi për të blerë biletën e kësaj maratone, pasi që pagesa nuk ka qenë e caktuar.

Njëri nga këta vullnetar, Besnik Leka, tha se për të ishte kënaqësi e madhe që iu dha mundësia të vrapoi në një maratonë të tillë, e cila ka për qëllim t’i përkrah fëmijët me autizëm.

Leka: Ishte kënaqësi të marrë pjesë në një maratonë të tillë

“Sot kemi dal për “Vrapo për Autizëm”, për t’i përkrahur fëmijët të cilët janë me autizëm, të vrapojmë në mini maratonën që është diku rreth pesë km, dhe për mua ishte kënaqësi që të marr pjesë edhe pse ishte pak sfiduese, vrapimi nuk është që e bëjë aq shpesh, por, për një kauzë të tillë siç është kjo pata kënaqësinë”, tha Leka.

Për të përkrahur këtë maratonë, ka pasur edhe shumë iniciativa grupore të qytetarëve.

Qendrim Morina, student i Fakultetit të Mjekësisë, së bashku me kolegët e tij të fakultetit, morën pjesë në këtë vrapim pasi që, sipas tij, ata e dinë rëndësinë dhe kujdesin që duhet ofruar fëmijëve të prekur me autizëm.

Morina: Këto lloje maratone janë shumë të mira

“Jemi student të fakultetit të mjekësisë dhe jemi organizuar sot, për të cilën ja ka vlejtur shumë. Ne e njohim natyrën e kësaj sëmundje që ka nevojë shumë për përkujdesje dhe shyqyr që ka këso njerëz vullnetmirë dhe organizojnë kësi maratona të cilat janë shumë të mira”, tha Morina.

Përveç qytetarëve, edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës, shprehen gatishmërinë për të ndihmuar në mënyrë vullnetare duke vrapuar dhe duke ofruar sigurimin e pjesëmarrësve në këtë maratonë. Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se ata po marrin pjesë në këtë garë, pasi që, është një obligim moral dhe institucional i tyre.

Kelani: E kemi obligim moral dhe institucional të marrim pjesë

“Sot kemi dal për të marr pjesë në mini maratonen 5 kilometërshe e cila është një mini maratonë humanitare dhe ne e kemi ndjerë një obligim së pari moral dhe institucional si polici e Kosovës, ku kemi dal edhe me zyrtarët tonë në baza vullnetare të marrim pjesë në këtë mini maratonë, por, njëkohësisht kemi angazhuar edhe zyrtarët tonë policor që të kujdesen edhe për mbarëvajtjen e trafikut dhe njëherit edhe ofrimin e sigurisë së pjesëmarrësve në këtë mini maratonë. Pra edhe unë jam pjesë e këtij vrapimi dhe kam shprehur dëshirën time që të kryej një aspekt human për këta fëmijë, sepse ne si shoqëri mund të bëjmë shumë dhe mund të ndihmojmë edhe në këtë drejtim”, tha Kelani.

Organizator i krejt kësaj kauze ka qenë Afërdita Paqarada, dizajnere e modës, e cila ka përvojë shumë vjeçare në aktivitetet humanitare, në mbledhjen e fondeve për fëmijët në ndihmë.

Ajo tha se ideja e këtij organizimi ka qenë karakteri humanitar për tu senzibiluar me gjendjen e fëmijëve me autizëm. Ajo po ashtu, shprehet e kënaqur me numrin e pjesëmarrësve.

Paqarada: Me rëndësi është vetëdijesimi i qytetarëve për të qenë të bashkuar

“Ideja e organizimit të mini maratonës e ka një qëllim të vetëm, karakterin humanitarë për të senzibilzuar gjendjen e fëmijëve me autizëm, që në këtë muaj shënohet me aktivitete si muaj për fëmijët me autizëm. Numrin që e kanë marrë njerëzit për të marrë pjesë nuk ka pasur çmim, çmimi ka qenë sa të kushton zemra. Jam e kënaqur me pjesëmarrjen e njerëzve, për arsye se ju ka kushtuar zemra të gjithë këtyre njerëzve për të ardhur dhe për të qenë pjesëmarrës për të kontribuar në këtë kauzë. Vlera është simbolike, rreth 5 mijë euro kanë mbërri, mirëpo është simbolike në krahasim me peshën që e ka treguar vetëdijesimi i qytetarëve për të qenë të bashkuar dhe për t’i ndihmuar komuniteti njëri-tjetri”, tha Paqarada.

Për tërë këtë organizim ajo pati përkrahjen e shumë bizneseve të vogla të Prishtinës, si fitneseve, kafiterive e të tjerë, por, jo edhe të institucioneve qeveritare.

Paqarada, bëri të ditur se edhe përkundër thirrjeve të institucioneve për mbështetje, asnjëra nga to nuk i është përgjigjur për t’i përkrahur ata, as me të holla, e as moralisht.

Në fund të maratonës, të gjitha paratë e grumbulluara, u nisën për në Asociacionin Nacional të Autizimit, të cilat i dërguan organizatorët e saj së bashku me një nga vrapuesit e kësaj gare, në mënyrë që të jetë dëshmitar i transparencës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat