Në 2013-ën, 17 mijë azilkërkues morën leje qëndrimi në BE

Kosova

Në 2013-ën, 17 mijë azilkërkues morën leje qëndrimi në BE

Më: 19 prill 2015 Në ora: 13:45

Të dhënat e agjencisë evropiane të statistikave, Eurostat, vërejnë se 31 mijë shqiptarë të Shqipërisë dhe 17 mijë shqiptarë të Kosovës morën leje qëndrimi më 2013 në vendet e Bashkimit Europian.
Numri i shqiptarëve të Shqipërisë që morën leje qëndrimi ka rënë me shpejtësi të madhe në periudhën mes viteve 2008 dhe 2013, ndoshta kjo e lidhur me krizën në Itali dhe Greqi.

Në vitin 2008, qenë gati 99 mijë shqiptarët që morën leje qëndrimi, ndërsa ky numër ra ndjeshëm deri në vitin 2013. Shumica dërrmuese e shqiptarëve të Shqipërisë kanë zgjedhur Italinë për të marrë leje qëndrimi.

Nga të 363 mijë shqiptarët që u vendosën në BE mes këtyre gjashtë viteve, 217 mijë u vendosën në Itali dhe 120 mijë të tjerë në Greqi. Në Gjermani u pajisën me leje qëndrimi vetëm 3722 vetë.

Shumica dërrmuese arritën të marrin leje qëndrimi më të gjatë se një vit. Nga personat që kanë marrë leje qëndrimi, rreth 11 mijë për periudhën 2008-2013 kanë shkuar për studime.

Ndërsa numri i të shpërngulurve nga Shqipëria ka ardhur në rënie të vazhdueshme, numri i shqiptarëve të Kosovës që kanë marrë lejeqëndrim në BE ka mbetur i lartë, Rreth 20 mijë kosovarë u larguan në vitin 2009 ndërsa 17 mijë morën lejeqëndrimi më 2013. Në total, përgjatë gjashtë viteve, 96 mijë shqiptarë të Kosovës janë vendosur për të jetuar për periudha të gjata në tokën e premtuar.

Gjeografia e vendosjes së kosovarëve është më e larmishme.

Nga të larguarit, 28 mijë u vendosën në Gjermani, 22 mijë në Itali, gati 10 mijë ikën në Austri dhe 7900 prej tyre u vendosën në Francë. Në Suedi ikën 5,500 vetë.

Edhe në rastin e Kosovës, bashkimet familjare përbëjnë metodën kryesore të marrjes së lejeqëndrimeve. Për studime nga Kosova kanë ikur vetëm 2700 vetë.

Emigrimi gjatë dekadave të fundit ka sjellë rënie drastike të popullsisë në Shqipëri dhe Kosovë. /DialogPlus/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat