Sistemi gjyqësorë në Kosovë ka dëshmuar të jetë shumë i ngadaltë në procesimin e rasteve

Kosova

Sistemi gjyqësorë në Kosovë ka dëshmuar të jetë shumë i ngadaltë në procesimin e rasteve

Nga: Diana Bunjaku Më: 1 prill 2015 Në ora: 16:57

Rasti i fundit i vrasjes së rojës N. Ramadani, 44 vjeçar nga Prishtina, ka tronditur gjithë qytetarët e Kosovës.

Duke folur rreth sigurisë së punëtorëve në Kosovës, të cilët kohën e fundit po bien pre nga personat e maskuar, të cilët jo vetëm që po grabisin ata, por njëherësh edhe po i privijojnë nga jeta, me shumë gjakftohtësie, Donika Emini nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) tha për “ Bota sot” se sektori i sigurisë në Kosovë, jo rrallëherë është bërë çështje debati.

Sipas saj, është evidente që kushtet e punës në sektorin e sigurisë lënë shumë për të dëshiruar, përveç pagave të ulëta dhe orarit të tej zgjatur për të arritur pagën minimale prej 120 ose 170 Eurosh, punëtorët privat të sigurisë nuk posedojnë asnjë lloj të sigurimi shëndetësorë ose jetësore që do të siguronte punëtorin dhe familjen në raste të tilla.

“Fakti që rojat e sigurimit janë të ekspozuar drejtpërdrejte ndaj rrezikut, thërret për ndryshime ligjore në mënyrë që secila kompani private e sigurimit (përfshi edhe ato që i kanë themeluar shërbime të brendshme sigurimi) të jenë të obliguar, që personeli i tyre të jetë i siguruar në vendin e punës”, thotë Emini.
Ajo ka thënë se incidentet e fundit që kanë përfshirë edhe punëtorë të sektorit privat të sigurisë, duhet të mobilizojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme – përkatësisht Departamentin për Siguri Publike si organ kompetent, për mbikëqyrjen e këtij sektori, në mënyrë që të ndermirën hapat e duhur në përmirësimin e kushteve të punës në këtë sektor, dhe përmirësimin e shërbimeve që ofrohen për klientët. Pra të kërkojnë ndryshime ligjore për sigurimet për personelin e këtij sektori.

“Përveç tjerash Kompanitë Private të Sigurimit duhet të sigurohen që punëtorët e këtij sektori, janë të trajnuar sa duhet në përballimin e situatave me nivel të tillë të rrezikut. Trajnimi dhe pajisjet e duhura për rojet e sigurimi, gjithashtu edhe rritja e numrit të personelit (në të shumtën e rasteve për çështje të çmimit të lirë të shërbimeve lihet vetëm një punëtorë në detyrë) do të ndikonin edhe më tej në uljen e incidenteve të tilla”, thotë Emini duke shtuar se sigurimi jetësor dhe shëndetësor për pjesëtaret e këtij sektori, është nevojë për të cilën kompanitë private të sigurimit duhet të ndërmarrin veprime serioze.

Po ashtu duke folur rreth masave të dënimeve të cilat nuk janë edhe aq të duhura nga organet e drejtësisë, Emini tha se sistemi gjyqësorë në Kosovë ka dëshmuar të jetë shumë i ngadaltë në procesimin e rasteve që dërgohen ne gjyq, pasi sipas saj, mungesa e kapaciteteve dhe ndikimi mbi gjyqësorin kanë bërë që jo rrallë, rastet e dërguara në gjykatë të marrin vite të tëra për procesim, por edhe të mos jepen dënime të merituara, për kryesit e veprave të tilla.

“ Mos ndëshkueshmëria e kryesve të veprave edhe më tej jep kuraje, dhe ka ndikuar në rritje të vrasjeve dhe krimeve në shoqëri. Pra kjo dukuri ka arritur të krijoj panik në publik, dhe do të ndikojë seriozisht në perceptimin e qytetarëve, për institucionet e drejtësisë në Kosovë”, thotë Emini.

Sipas saj, është evidente që sistemi jo-fuksional duke filluar nga zingjiri i institucioneve si: Policia, Prokuroria dhe Gjykatat kanë ndikuar thellë në rritjen e krimit, përfshirw kwtu edhe ato raste kur janë të përfshirë edhe personeli i sektorit privat i sigurisë.

“Këto incidente duhet të mobilizojnë Policinë e Kosovës dhe Kompanitë Private të Sigurisë në Kosovë, për bashkëpunim më të fortë mes sektorit publik dhe privat të sigurisë. Pa dyshim kjo do të ndihmonte të dyja palët (publik dhe privat) dhe siguria publike do të përmirësohej dukshëm”, thotë Emini nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat