Edhe serbët e Kosovës kërkojnë kthimin e Listës Serbe në institucione

Kosova

Edhe serbët e Kosovës kërkojnë kthimin e Listës Serbe në institucione

Më: 31 mars 2015 Në ora: 18:36

Zyrtarë serbë, të cilët punojnë në institucionet e Kosovës, po u bëjnë thirrje përfaqësuesve të Listës Serbe të ndërpresin bojkotin dhe të kthehen në institucionet kosovare.
Darko Dimitrijeviq, kryesues i Këshillit konsultativ për Komunitete, pranë Zyrës së Presidentes Atifete Jahjaga, vlerëson se Lista Serbe nuk duhet të paraqesë kushte, por të kthehen në institucione dhe të mbrojnë interesat e serbëve të Kosovës.
“Ngrirja e punës në Qeveri e Kuvend nga serbët është ide e keqe. Ka procese, që nuk mund të presin dhe nuk po realizohen, për shkak të ikjes së tyre. Lista Serbe duhet t’i kthehet sa më shpejt punës nëpër institucione dhe të kryejë detyrat e dhëna nga populli serb në zgjedhje. Edhe për votimin e Gjykatës Speciale duhet të kthehen medoemos”, tha Darko Dimitrijeviq, raporton TopChannel.
Pas mbledhjes së Këshillit konsultativ, Dimitrijeviq tha se lideri i Listës Serbe, Aleksandër Jabllanoviq nuk duhet të kërkojë nga zyra që të lejohen qytetarët serbë të shkojnë në Gjakovë, por duhet të niset ai i pari, bashkë me qytetarët.
“Që në fillim është bërë një gabim, pasi ish-ministri Aleksandër Jabllanoviq, në vend të deklaratave të dhëna, do të duhej të ishte në krye të kolonës së serbëve, që donin të vizitonin Gjakovën. Mendoj se atë, si ministër nuk e kishte ndalur askush. Situata, edhe tani me kërkesat që ka Lista Serbe, është krejt e paqartë”, tha Dimitrijeviq.
Ai vlerëson se vazhdimi i bojkotit të Listës Serbe nuk shkon në asnjë rast në dëm të shqiptarëve, por vetëm në dëm të serbëve të Kosovës, të cilët sipas tij kanë shpresuar se Lista Serbe do të punojë për zhvillimin e lokaliteteve të tyre në Kosovë.
Zyrtarët e Listës Serbe kanë paralajmëruar mundësinë e rikthimit në institucionet kosovare, por ende nuk kanë saktësuar kohën se kur do të kthehen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat