Kushtet e Listës nuk duhet të pranohen, Kuvendi s’ka kërkesë për asociacionin

Kosova

Kushtet e Listës nuk duhet të pranohen, Kuvendi s’ka kërkesë për asociacionin

Më: 30 mars 2015 Në ora: 16:47

Kthimi i Listës Serbe në institucionet duket të jetë më i vështirë se sa është menduar. Ndonëse këtë javë pritet kthimi i tyre, ata për këtë gjë kanë disa kërkesa për Qeverinë e Kosovës. Themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është kërkesa kryesore e tyre dhe në një të ardhme të afërt të dihet edhe statuti i këtij asociacioni. Por, zyrtarë të opozitës theksojnë se kthimi i Listës Serbe në institucione duhet të bëhet pa kushte, sepse ato dëmtojnë raportet ndëretnike.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli thotë se asnjëherë nuk kanë pasur kërkesë për themelimin e këtij asociacioni, që sipas tij, aktualisht është in-ekzistentë.
Madje, ai thotë se ata janë të thirrur të marrin vendime në të mirë të qytetarëve dhe do të jetë transparent çfarëdo vendimi që merret.

Veseli: Nuk kemi kërkesë për asociacionin

“Këtë çështje që e ngritet ju, nuk kemi ndonjë kërkesë, as që kemi pasur, do të thotë është in-ekzistente, nuk e di për arsye se nuk kemi pasur ndonjë kërkesë të tillë. Sido që të jetë çdo vendim i yni do të jetë shumë transparent, do të jetë seanca plenare që vendos, nuk duhet të krijohet asnjë shqetësim për atë çështje. Ne jemi të thirrur të marrim vendime në bazë të interesave të zgjedhësve tanë”, tha Veseli.

Por, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj thotë për KosovaPress se edhe Lista serbe duhet ta pranoj realitetin e krijuar në Kosovë, sepse nuk shkohet më me kushte. Madje sipas tij, kushte të tilla e dëmtojnë, jo vetëm Kosovën, por edhe raportin ndëretnik.

Haradinaj: Kushtet dëmtojnë raportet ndëretnike

“Për momentin kushtet nuk i kemi parë ato dhjetë kërkesa të tyre, ne jemi duke i shqyrtuar. Por mendoj që koncecionet duhet të marrin fund në favor të një komuniteti të caktuar dhe mendoj që edhe Lista Serbe duhet ta pranoj që ka ardhur koha ta pranojnë realitetin në Kosovë. Nuk shkohet më me kushte sepse kanë marr përgjegjësitë prej qytetarëve të vet. Kushtet e dëmtojnë Kosovën, por pse mos të themi edhe raportet ndëretnike”, thotë Haradinaj për KosovaPress.

Edhe shefja e grupit parlamentar të Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami thotë për KosovaPress së kthimi i Listës në institucione duhet të bëhet pa kushte, madje nuk duhet të pranohen ato nga kryeministri i vendit.

“Po si të tilla nuk duhet të pranohen kushtet e Listës Serbe. Dhe kryeministri assesi nuk duhet të merret me teket e tyre, por të ju bëjë thirrje për mos bojkot të punës, pasi që ata duhet të jenë prezent tash e sa kohë në institucione”, tha Bajrami për KosovaPress, përmes telefonit.

Lista serbe ditë më parë në mbledhjen e parë të kuvendeve komunale me shumicë serbe, kanë hartuar dhjetë kërkesa të cilat duhet plotësuar nga institucionet e vendit. Ndërsa, të premten kryetari i Listës serbe, ish ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanovic, tha se brenda dy ditë do të marrin vendime nëse do të kthehen ose jo në institucione.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat