Prekazi, dëshmi për luftën e UÇK-së në krye me Adem Jasharin

Kosova

Prekazi, dëshmi për luftën e UÇK-së në krye me Adem Jasharin

Më: 5 mars 2015 Në ora: 16:36

Kompleksi i varrezave, kulla dhe shtëpia, e gjithë ajo pjesë e familjes Jashari, mendohet të jetë e vizituar nga mbi 11 milionë njerëz.

Sot, 17 vite pas rënies heroike të familjes Jashari, përkujtohet sakrifica e kësaj familje për lirim nga okupatori serb.

E ata që e përkrahen gjatë gjithë kohës komandantin Adem Jashari për tu përballur me forcat serbe pa u trembur fare, mbesin familja e tij.

Xhevat Imeri, ciceron në kompleksin memorial në Prekaz, rrëfen për periudhat më të vështira të familjes Jashari.

“Nga viti 91, 98, ka qenë periudha më e vështirë në familjen Jashari. E them këtë duke pasë parasysh se familja ishte e vendosur që të mos tërhiqej nga familja, dhe qëllimi ishte t’i tregohej botës dhe opinionit shqiptar se shqiptarët nuk kanë ku të shkojnë përpos trojeve dhe shtëpive të veta. Dhe, në një farë forme duke mbrojtur familjen, duke mbrojtur nderin, e mbrojti edhe Kosovën. Këtë e dëshmon edhe sulmi i dytë që ndodhë me 22 janar të vitit 98, ku gjatë atij sulmi mbetën të plagosura dy vajza, Iliriana e Rifatit dhe Selvetja e Hamzës, e dëshmon qartë se familja Jashari ishte e bashkuar. Një për të gjithë, të gjithë për një”, thotë ai.

Periudha e 5, 6 dhe 7 marsit dëshmon më së miri sa të bashkuar e të patrembur ishin kjo familje, përfshirë gratë e fëmijët.

Ata nuk pranuan të ndaheshin.

U zotuan se do të qëndrojnë së bashku deri në fund.

“Pas sulmit të dytë që ndodhë me 22 janar të vitit 98, shumë njerëz i kërkuan familjes ,i kërkuan Shabanit që të paktën gratë dhe fëmijët t’i tërhiqeshin. Shabani iu përgjigjej: Unë iu kam kërkuar por provone edhe ju. Do të thotë mundoheshin shokët miqtë dhe dashamirët që të paktën gratë dhe fëmijët t’i bindnin të largoheshin prej këtu, por edhe gratë edhe fëmijët kishin marrë vendim, kur të na vriten burrat, të na vriten djemtë, atëherë çka na duhet jeta të jetojmë. Dhe vendosën të gjithë të bashkuar të qëndrojnë, ashtu siç qëndruan deri në rënien përfundimtare të tyre”, thotë ai.

Vetë mënyra e vdekjes së gruas së komandantit Adem Jashari, Adilës, e tregon qartë se ajo po jepte përkrahjen maksimale në konfrontimin me ushtrinë paramilitare serbe.

Ajo u vra me një qantë të mbushur me fishekë të cilën po ia dërgonte komandantit.

Shumë prej tyre nuk ishin në moshë për të qenë ushtarë. Megjithatë nuk u larguan. Qëndruan të gjithë së bashku deri në rënien heroike të tyre.

Sot, çdo kush që dëshiron të dijë më shumë për familjen Jashari, mund t’i drejtohet Prekazit.

Ani pse, fotografitë dhe librat që flasin për UÇK-në dhe Jasharajt janë të mbledhura në një vend modest, ato janë vizituar me miliona njerëz.

Madje, Imeri tregon se ai dhe kolegët e tij nuk paguhen për punën e cicëronit që e bëjnë.

Thotë se ata marrin vetëm sa mbetët nga shitja e librave, kalendarëve, fotografive dhe simboleve tjera në kompleks.

“Sado e vogël që shihet, në këtë derë kanë hyrë miliona e miliona njerëz për të marrë diçka nga vetja. Sepse është një diçka që thënë të drejtën, me vjen ke q që e them këtë, është forma e vetme që mbetet gjallë kjo qendër memoriale. Meqenëse këtu vizitat, përcjellja nga personeli zyrtar, janë gratis, kjo ka qenë forma e vetme që qendra memoriale Adem Jashari ka mbetë gjallë. Por, ka qenë gjaku i familjes Jashari që e ka mbajtë gjallë, në një farë forme. Sepse, shumica e kësaj literature e ka të shkruar historinë e familjes Jashari, ka të shkruar historinë e UÇK-së dhe në përgjithësi luftës që është bërë në Kosovë”, thotë ai.

Imeri tregon, se një pjesë e fotografive flet për periudhën e organizimit të ushtrisë, ku komandanti me grupe të njerëzve shkonin në Shqipëri, stërviteshin, armatoseshin dhe ktheheshin në Kosovë për të filluar aksionet e tyre ndaj forcave policore serbe.

Ciceroni Xhavit Imer tregon edhe për rëndësinë që ka trekëndëshi në lagjen Jashari.

“Ne e lidhim me tre ngjarje që kanë ndodhë në familje, tre rezistenca që kanë ndodhë në Prekaz, tre figura qendrore të familjes Jashari”, thotë ai./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat