Avokati i Popullit: Ne nuk bëjmë shantazh kërkojmë llogaridhënie‏

Kosova

Avokati i Popullit: Ne nuk bëjmë shantazh kërkojmë llogaridhënie‏

Më: 3 mars 2015 Në ora: 21:23

Avokati i Popullit me anë të një komunikatë reagon ndaj deklaratës që sot ka lëshuar Gjykata Kushtetuese lidhur me me deklaratën e Avokatit të Popullit Sami Kurteshi sa i përket dyshimit të arsyeshëm që kryetari Enver Hasani dhe gjyqtarja raportuese Arta Rama-Hajrizi, kanë mashtruar publikun, duke fshehur faktin që gjyqtari Robert Carolan kishte përjashtuar veten nga shqyrtimi dhe vendimi i këtij rasti.
“Avokati i Popullit dëshiron të njoftojë opinionin dhe të theksojë se, pas kërkesave të ripërsëritura zyrtare për sqarimin e plotë të kësaj situate, kryetari Hasani dhe gjyqtarja Rama-Hajrizi kanë refuzuar të bashkëpunojnë me Avokatin e Popullit dhe të dalin me të gjitha faktet dhe dëshmitë lidhur me këtë çështje. Refuzimi i tyre për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit përbën shkelje të nenit 132, paragrafi 3, të Kushtetutës, i cili përcakton se: “Çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesë atij/asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligj”, thuhet në komunikatë

Prandaj, Avokati i Popullit vlerëson se, edhe pas deklaratës publike nga Gjykata Kushtetuese, mbeten një sërë pyetjesh të pasqaruara:

(1) Përveç dy zyrtarëve të cilëve gjyqtari Carolan u ka dërguar e-mail më 12 nëntor 2014, kush tjetër brenda Gjykatës Kushtetuese ka qenë në dijeni, para publikimit të Aktvendimit, për kërkesën e gjyqtarit Carolan, për përjashtim nga procedura e rastit?

(2) Kujt tjetër i kanë komunikuar këta dy zyrtarë faktin që gjyqtari Carolan e kishte kërkuar përjashtimin e vet?

(3) Pse, një ditë pas dërgimit të e-mailit të gjyqtarit Carolan më 12 nëntor, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të përshpejtojë publikimin e Aktvendimit, duke mos pritur përfundimin e afatit dhjetëditor?

(4) Pse gjyqtari Carolan kishte nevojë që më 13 shkurt 2015, të sjellë personalisht tek Institucioni i Avokatit të Popullit letrën e tij që mban datën 2 shkurt 2015?

“Informimi i opinionit publik për këto dëshmi nga Avokati i Popullit, pas kërkesave zyrtare për sqarimin e dëshmive që Gjykata ka mashtruar opinionin publik për të fshehur mungesën e kuorumit, nuk quhet shantazh. Kjo quhet llogaridhënie, në një shoqëri të shëndoshë demokratike”, thuhet në reagim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat