Doli: S’ka pengesa kushtetuese që FSK-ja të transformohet në ushtri

Kosova

Doli: S’ka pengesa kushtetuese që FSK-ja të transformohet në ushtri

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 2 mars 2015 Në ora: 11:53

Ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nuk nënkupton se ajo ka mungesë të kualitetit, edhe pse ndryshimi i aktit më të lartë juridik është konsideruar si domosdoshmëri duke marrë parasysh çështjet, si Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Gjykata Speciale, transformimi i FSK në FAK, Ligji për Zgjedhjet, mënyrës së zgjedhjes së presidentit... etj në vazhdimësi kanë interferuar në Kushtetutën e Kosovës.

Ekspertët për çështje kushtetuese kanë vlerësuar se Kosova ka nevojë që të hapë Kushtetutën e saj dhe të bëjë ndryshime substanciale në aktin më të lartë juridik të vendit e jo ndryshime të bëhen vetëm për çështje të caktuara.

Dren Doli nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thotë se, së pari duhet sqaruar që kërkesa për ndryshim të Kushtetutës nuk nënkupton që ajo ka mungesë të kualitetit.

Doli pohon se, nuk duhet që të bëhen ndryshime kushtetuese që FSK-ja të bëhet ushtri të Republikës së Kosovës, pra s’ka asnjë provizion kushtetues që parandalon në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së dhe që kjo e fundit nëpërmjet ligjit të emërtohet si Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës

Pra, sipas tij, problemi qëndron në faktin që disa nga kërkesat e partive politike dalin përtej kushtetutës së Kosovës dhe ato mund të realizohen vetëm me ndryshime kushtetuese.

“Në fakt, p.sh. nëse Kosova dëshiron t’i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, sipas modelit të propozuar nga BE-ja, atëherë ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme, siç janë të nevojshme edhe ndryshimet mbi një model të ri të zgjedhjes së Presidentit. Në lidhje me Gjykatë Speciale, duhet kujtuar që Kuvendi tanimë ka miratuar një marrëveshje ndërkombëtare, me ç’rast ka pranuar themelimin e saj, dhe tanimë, mbetet në kuadër të obligimeve shtetërore të Kosovës që të themeloj Gjykatën Speciale”, thotë Doli për gazetën “Bota sot”.

Poashtu, sipas Dolit, nëse Kosova pranon që Asociacioni i Komunave të jetë më shumë se një organizatë jo qeveritare, sipas propozimit të Serbisë, atëherë ky lloj mekanizmi dosido prek themelet kushtetuese, dhe kërkon ndryshime kushtetuese.

“Një gjë me rëndësi ka të bëj me FSK-në, e cila sipas mendimit tim nuk ka asnjë pengesë kushtetuese që të transformohet në ushtri. Nuk ka asnjë provizion kushtetues që parandalon në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së dhe që kjo e fundit nëpërmjet ligjit të emërtohet si Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës”, thotë eksperti i çështjeve juridike Dren Doli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat