Mustafa thotë se nuk do të ketë bisedime për Trepçën

Kosova

Mustafa thotë se nuk do të ketë bisedime për Trepçën

Më: 28 shkurt 2015 Në ora: 13:54

Ai gjatë manifestimit tradicional “Java e Minatorëve” , ku ka marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të kësaj ngjarje ka thënë se Trepça është e Kosovës.

“Trepça është e Kosovës, mineraret janë të Kosovës dhe kjo është pronë e Kosovës, ndërsa ne me askënd nuk do të ulemi në tavolinë të bisedojmë për Trepçën. Për Trepçën do të bisedojmë vetëm me ju, minatorë të Trepçës”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ai gjatë fjalimit të tij, u shpreh se puna dhe historia që kanë shkruar minatorët, është e rëndësisë së veçantë nacionale.

“Ju keni shkruar një histori të veçantë për Kosovën, keni dhënë kontributin më të madh në kohën më të rëndësishme, keni shfaq rezistencën e juaj për Kosovën e pavarur, sepse duke ruajtur Trepçën, ju keni mbrojtur Kosovën”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka premtuar zgjidhjen e statusit të Trepçës në mënyrën më të mirë, duke bashkëpunuar ngushtë me vetë minatorët, por edhe Kuvendin, në mënyrë që Trepça të mbetet gjigant i zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ndërkaq, menaxheri i Trepçës, Ahmet Tmava, foli për rëndësinë historike të grevës së minatorëve të Trepçës që ngjau para gati tri dekadave.

Sipas tij, si çdo përvjetor tjetër, edhe ky i 26-të me radhë, është inspirim për të gjithë që të mbahet gjallë fryma e epopesë së minatorëve.

Ai tha se kjo javë shënon historinë e ndritshme, dhe fillimin e fuqishëm për çlirim nga okupuesi, për një jetë me dinjitet.

“Vendosmëria e minatorëve për sendërtimin e idealeve kombëtare deri në flijim, ishte mobilizimi më i mirë gjithëpopullor që kulmoi me ushtrinë çlirimtare të Kosovës. Të jesh trashëgimtar i kësaj lavdie për ne është përgjegjësi shumë e madhe, por edhe krenari”, ka thënë Tmava.

Ai theksoi se sa është i domosdoshëm dhe emergjent sqarimi i statusit të Trepçës, tregon fakti se që nga 24 janari i këtij viti miniera nuk ka licencë për punë, që me gjasë, siç tha ai, do të zgjasë edhe një kohë duke sjell probleme serioze financiare për Trepçën.

Në anën tjetër, Nezir Behrami, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, pasi elaboroi aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Javës së Minatorëve, ka kritikuar institucionet për mos përkushtim të mjaftueshëm ndaj këtij gjiganti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat