Nuk arsyetohet bojkoti i Listës Serbe

Kosova

Nuk arsyetohet bojkoti i Listës Serbe

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 08:59

Deputet të pozitës dhe të opozitës nuk e arsyetojnë bojkotin e deputeteve të Listës Serbe ndaj institucioneve të vendit.

Që nga shkarkimi i ministrit për Kthim dhe Komunitete Aleksandër Jabllanovic në fillim të shkurtit, përfaqësues të Listës Serbe po i bojkotojnë institucionet e Kosovës. Ky bojkot nuk po arsyetohet nga deputet e Kuvendit të Kosovës. Vjosa Osmani nga LDK tha se Kosova ka treguar një shembull të paprecedent në rajon për privilegjet që ua ofron pakicave dhe në veçanti pakicës serbe për pjesëmarrje në jetën institucionale.

"Ata kanë vende të garantuar si në kuvend, qeveri edhe në nivelin lokal dhe në vend se të merren me lojrat e tilla ata duhet të vijnë në kuvend dhe në qeveri dhe të përfaqësojnë në mënyrë të mirë të mundshme interesat e komunitetit të cilat kanë votuar për ta. Pra mendoj se është edhe shkelje e të drejtave të komunitetit serb fakti që njerëzit që ata i kianë votuar nuk po vijnë ti përfaqësojnë interesat e tyre.", tha Osmani.

Rexhep Selimi nga Vetëvendosje tha se bojkoti i Listës serbe, është mjet i tyre ndaj qeverisë dhe ndaj shumicës shqiptare, sepse përfaqësimi i tyre në Kuvend përkon me politikën e Beogradit, e cila edhe më tej cenon integritetin e Kosovës
" Institucionet e Kosovës nuk do të duhej as të shantazhoheshin, e as ti viheshin kushte nga kushdo apo cilido grup nga pakica apo qoftë nga shumica e aq më tepër se kto kushte vijnë nga një forcë politike e cila përfaqëson politikat e qeverisë së republikës së Serbisë, ndaj të cilave politika kjo forcë politike ka lojalitet absolut dhe cdo përulje kushtimisht ndaj këtyre kushteve mendoj që është shkelje edhe e integritetit të këtij shteti por edhe shkelje e shumicës", tha Selimi.

Ndërsa Donika Kadaj Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se Lista Serbe ka qenë destruktive prej fillimit, mirëpo edhe ka gjetur hapësirë për bojkot:

"Konsideroj që nëse fillon zbatimi i ligjit dhe ju japim mesazhe të sakta për të gjithë prej kryeministri e teposhtë atëherë edhe llogaridhënia dhe përgjegjësia ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës pavarësisht etnive të cilave ju takojnë përgjegjësitë dhe ekzekutivi do të ishin në nivel dhe konform interesave të republikës por lëshimi pe para pretendimeve madje edhe shtetësisë së republikës së vendit tonë i ka bërë që në momente të caktuara të vihen kushte sepse zakonisht këto kushte janë plotësuar", tha Kadaj-Bujupi.

Ndryshe me ligjin për të drejtat dhe përgjegjësit e deputetit të republikës së Kosovës, mandati i deputetit përfundon në rast të mungesës në seancë për gjashtë muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat