Kurti: Protesta e djeshme kishte dy kërkesa

Kosova

Kurti: Protesta e djeshme kishte dy kërkesa

Më: 28 janar 2015 Në ora: 15:38

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka thënë se protesta e djeshme kishte dy kërkesa: Largimin e ministrit Aleksandar Jabllanoviq dhe shndërrimin e ndërmarrjes “Trepça” në ndërmarrje publike.

“Pas protestës së djeshme po marrim raporte nga qendrat e VV-së dhe subjektet tjera pjesëmarrëse në protestë dhe informacione mbi të arrestuarit dhe të lënduarit. Protesta kishte dy kërkesa: e para shkarkimi i Jabllanoviqit dhe e dyta, mbrojtja e Trepçës përmes një ligji që do të bënte këtë ndërmarrje, publike. Nëse nuk plotësohen këto kërkesa, atëherë nuk po na mbetet asgjë nga Republika e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përsëritur faktin se ministri Jabllanoviq i ka quajtur nënat gjakovare dhe protestuesit në Gjakovë “egërsira” dhe kjo gjithsesi nuk mund të tejkalohet.

“Këta që na mohojnë historinë dhe sulmojnë ekonominë po na refuzojnë qenien tonë. Një ministër i tillë nuk do të duhej të qëndronte as në Qeverinë e Serbisë e jo më në të Kosovës”, ka thënë Kurti, gjatë një konference për shtyp.

Ndërkaq, sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj ka thënë se që në orët e mëngjesit dje, Policia e Kosovës ka pamundësuar një tubim publik në shesh.

“Kontrollat e autobusëve, konfiskimi i kamionetës dhe tentim arrestimi dhe konfiskimi i zërimit dhe arrestimi i qytetarëve dhe largimi i tyre prej autobusëve ka të bëjë me një sistem që shfaq tendencat e para të një sistemi autoritar”, ka thënë Molliqaj.

Ai gjithashtu ka mohuar faktin se protesta e djeshme është sabotuar nga popullata dhe se kanë qenë kryesisht të përfaqësuar nga aktivistë të VV-së.

“Janë arrestuar rreth 200 veta dhe dy të tretat e tyre nuk janë aktivistë të VV. Kjo tregon se protesta ka qenë më shumë se e VV-së”, ka thënë Molliqaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat