Jahjaga takoj Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg

Kosova

Jahjaga takoj Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg

Më: 23 janar 2015 Në ora: 12:46

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, zotëri Jens Stoltenberg në vizitën e tij të parë në Republikën e Kosovës, me të cilin diskutuan zhvillimet aktuale në vend dhe orientimin strategjik të Kosovës për t’u anëtarësuar në aleancën veriatlantike.

Presidentja Jahjaga e falenderoi Sekretarin Stoltenberg për kontributin e NATO-s dhe forcës së saj paqeruajtëse, KFOR-it, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë të nevojshëm për të krijuar kushtet për ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Presidentja Jahjaga poashtu falenderoi shtetet anëtare të NATO-s dhe partnerët për përkushtimin e tyre parimor që prania e forcave të tyre paqeruajtëse në Kosovë të mos jetë e kufizuar nga një afat kohor, por të rregullohet në bazë të përparimit të bërë në vend.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës dhe NATO-ja duhet të punojnë në partneritet të plotë drejt synimit strategjik që Kosova të zhvillojë forcat e saj në përputhje me standardet e NATO dhe vizionin që Kosova të anëtarësohet në aleancë, si vlerë e shtuar për sigurinë rajonale dhe globale, dhe nevojën që ky partneritet të shndërrohet në marrëdhënie kontraktuale mes Kosovës dhe NATO-s. Presidentja e njoftoi Sekretarin Stoltenberg me konkluzat e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe vendimin e institucioneve të Kosovës për të filluar transformimin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, një forcë mbrojtëse dizajni i të cilës është përcaktuar në përputhje me interesat strategjik, sigurinë kombëtare, nevojat dhe resurset e Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga poashtu njoftoi Sekretarin Stoltenberg për përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të vazhduar dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të hapur perspektivën e tyre evropiane, dhe për angazhimin e vazhdueshëm të mekanizmave të sigurisë së Republikës së Kosovës që të përballen me kërcënimin e ekstremizmit dhe radikalizimit në vend.

Sekretari Stoltenberg theksoi se NATO-ja mbetet e përkushtuar të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe se prania e forcave paqeruajtëse në Kosovë është garantues i paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor që ndihmon zhvillimet politike dhe dialogun mes shteteve të rajonit. Ai poashtu theksoi se NATO-ja do të vazhdojë angazhimin për ndërtimin e kapacitetit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përshëndeti angazhimin institucional në Kosovë në aspektin e sigurisë dhe atë ligjor për të parandaluar individë nga Kosova që t’iu bashkangjiten kauzave terroriste në Siri dhe Irak./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat