Veseli: Do të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm me Luginën

Kosova

Veseli: Do të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm me Luginën

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 14:06

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot kryetarin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

Veseli ka theksuar rëndësinë e dialogut, relaksimin e raporteve shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe implementimin e marrëveshjeve ndërshtetërore me qëllim të përmirësimit substancial të jetës së të gjithë qytetarëve.

Mustafa shprehu besim se Veseli gjatë mandatit të tij, do të ketë intensifikim të marrëdhënieve me shqiptarët e Luginës, duke i bërë ato edhe më përmbajtjesore.

Veseli dhe Mustafa diskutuan për zhvillimet në vend dhe rajon, për dialogun ndërshtetëror aktual, bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Kuvendit dhe komunave të Luginës së Preshevës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe implementimin e marrëveshjeve ndërshtetërore.

Ishte qëndrim i përbashkët i takimit se duhet të respektohen të drejtat e njeriut, si dhe të integrohen pakicat në institucione, në mënyrë që komunitetet pakicë të jenë vendimmarrës në nivele të ndryshme, të kenë qasje të papenguar në edukim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, ruajtjen e identitetit nacional etj., gjithnjë me ligje dhe praktika që përafrojnë vendet e Ballkanit me Bashkimin Evropian.

Kryetari i Kuvendit inkurajoi kryetarin e Preshevës, në veçanti për zhvillimet pozitive në fushën e edukimit, duke theksuar se me përkushtim do të përkrahë marrëveshjet e deritashme të Kuvendit me komunat me shumicë shqiptare të Luginës. Ai më këtë rast ka cekur rëndësinë e dialogut, relaksimin e raporteve shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e veçmas implementimin e marrëveshjeve ndërshtetërore me qëllim të përmirësimit substancial të jetës së të gjithë qytetarëve.

Bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje se ka vend dhe vullnet për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Luginës së Preshevës, me interes të gjithanshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat