Analistët: Zgjedhja e Thaçit, ministër i jashtëm ana më errët e kësaj qeverie

Kosova

Analistët: Zgjedhja e Thaçit, ministër i jashtëm ana më errët e kësaj qeverie

Nga: Petrit Rudi Më: 17 dhjetor 2014 Në ora: 14:13

Me nënshkrimin e koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u vendos që politikën e jashtme ta udhëheqë ish kryeministri Hashim Thaçi.

Mirëpo, zgjedhja e ish-kryeministrit Thaçi si Ministër i Punëve të Jashtme nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim në diplomacinë kosovare, duke pasur parasysh imazhin e keq të krijuar për Kosovën dhe ish kryeministrin Thaçi për shkak të aferave të ndryshme korruptive dhe kriminale.

Sipas analistit Nehat Hyseni udhëheqja e kësaj ministrie nga ana e PDK-së ndoshta do jetë edhe ana më errët e kësaj qeverisje dhe shpresat janë të vogla se do të ndryshojë diçka më shpresëdhënëse në këtë drejtim.

“Politika e jashtme e Kosovës gjatë mandatit 2014-2018 i është lënë PDK-së dhe, sigurisht se do të jetë identike me atë të Qeverisë Thaçi. Sidomos është brengosës fakti se edhe dialogu me Serbinë në Bruksel do të udhëhiqet nga PDK-ja”, theksoi Hyseni për gazetën “Bota sot”.

Më tutje Hyseni shtoi se shpreson që me mbështetjen e fuqishme të kryeministrit të ri Isa Mustafa dhe përkrahjen e fuqishme të Gjermanisë do të bëhet liberalizimi i vizave dhe do të bëhet njohja e Kosovës nga ana e pesë shteteve të BE-së.

“Duke llogaritur në mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe të kancelares Angela Merkel personalisht për emërimin e z. Isa Mustafa për Kryeministër të Kosovës, shpresojmë se vizat do të hiqen gjatë këtij viti, si dhe do të kemi një qasje më normale ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Gjithashtu, shpresojmë se me formimin e Gjykatës Speciale, do i hapen dyert rritjes së besimit dhe të investimeve europiane në Kosovë, si dhe pranimi i Kosovës edhe nga pesë shtetet e mbetura të BE-së”, theksoi Hyseni.

Ndërsa, analisti Jeton Kelmendi për gazetën “Bota sot” thotë se Thaçi është i njohur në arenën ndërkombëtare që nga Rambujeja, por raporti i Dick Martit dhe akuzat e tij kanë krijuar një imazh të keq për Kosovën dhe ish kryeministrin Thaçi.

“Thaçi është i njohur në arenën ndërkombëtare që nga Rambujeja e deri së fundi si kryeministër i Kosovës, por sa do të mund ta ndryshoj opinionin e krijuar për të dhe për Kosovën është diskutabile, për vetëfaktin që zotëri Thaçi disa herë ka qenë top ngjarje e medieve evropiane për aferat e ndryshme që e lidhin atë me kontrabandën, si një njeri që kishte ardhur në pushtet me ndihmën e një organizate kriminale siç ishte SHIK-u”, u shpreh Kelmendi.

Më tej Kelmendi shtoi se pret që Thaçi ta vazhdoj punën ashtu sikurse paraardhësi i tij Enver Hoxhaj, i cili ishte pothuajse një ministër i dështuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat