Ambasadorja franceze: Zejnullahu rektori i parë sipas kritereve akademike

Kosova

Ambasadorja franceze: Zejnullahu rektori i parë sipas kritereve akademike

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 18:18

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet ka deklaruar se do të përkrah fuqishëm përpjekjet e Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” për ngritjen e cilësisë si parakusht për integrimin e arsimit të lartë të Kosovës në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.
Këto komente ambasadorja franceze i ka bërë në takim me rektorin e UP-së Ramadan Zejnullahu, gjatë vizitës që ka realizuar sot në këtë universitet ku është njoftuar me rrjedhat aktuale.

Ambasadorja Davies e ka përgëzuar rektorin Zejnullahu për zgjedhjen e tij në postin e rektorit, siç e ka quajtur ajo “rektori i parë i cili vjen në post për shkak të kritereve akademike e jo preferencave politike”.

“Në proceset nëpër të cilat po kalon arsimi i lartë në Kosovë, duhet angazhim më i shtuar për cilësi të studimeve në të gjitha nivelet, pa u ndërmarrë hapa që e cenojnë autonominë e Universitetit dhe e dëmtojnë pariparueshëm rrugën e integrimit në Procesin e Bolonjës”, ka thënë Davies.

Ndërsa, rektori Zejnullahu e ka njoftuar nga ana e tij ambasadoren Davies se në UP po ballafaqohen me vështirësi të shumta si në planin financiar, të infrastrukturës hapësinore dhe laboratorike ashtu edhe me mungesën e stafit akademik për ta përballuar një numër kaq të madh të studentëve sa ka aktualisht.

“Studimet në vitin e parë akademik kanë filluar para gati dy muajsh dhe menaxhmenti i UP-së po bën gjithçka që ta rris cilësinë në të gjitha nivelet me synimin kryesor që të jemi universitet konkurrues brenda hapësirës evropiane të Arsimit të lartë”, ka thënë rektori në takim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat