Albin Kurti: Hashim Thaçi është sadist, ndërsa Isa Mustafa mazohist

Kosova

Albin Kurti: Hashim Thaçi është sadist, ndërsa Isa Mustafa mazohist

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 17:31

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një tubimi me qytetarë në Viti, ka nxjerrë detaje nga takimet me liderët e LAN-it. Ai ka thënë se, gjatë takimeve të krerëve të LAN-it, Fatmir Limajn u pati treguar se Thaçi është njeri sadist, “pra ai kënaqet duke i parë të tjerët teksa vuajnë”. Por sipas Kurtit, “përderisa Thaçi qenka sadist, i bie që Isa Mustafa me gatishmërinë për nënshtrim është mazohist”.

Kurti, deri dje partner me Isa Mustafën, e akuzon këtë të fundit për tradhëti ndaj Bllokut, për çështje postesh dhe për t’u mbrojtur nga dosjet, të cilat ja ka dërguar në prokurori Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Vetëvendosje.

Në një tubim me qytetarë në Viti, Kurti ka thënë se, koalicioni LAN është prishur për çështje postesh, ndërsa ujdia e Mustafës me Thaçin është ndrequr për çështje dosjesh.

“Për pesë muaj rresht asnjërin prej 63 deputetëve që kishin formuar shumicën parlamentare as nuk i frikësoi e as nuk i bleu dot PDK-ja, por kreu i LDK-së Isa Mustafa u shit te Hashim Thaçi. Të shënojë autogol nga penaltia mund të bëjë vetëm një njeri i talentuar për dobësi si Isa Mustafa”, ka thënë Kurti.

Kurti tha që Mustafa bëri ujdi e jo marrëveshje sepse ai nuk bëri negociata para marrëveshjes, por qeveria u nda përgjysmë si plaçkë pas nënshtrimit ndaj Thaçit, raporton lajmi.net.

“Kjo shpejtësi e ujdisë vjen nga ato 70 lëndë në prokurori të krimit ekonomik e urbanistik të komunës së Prishtinës kur atje ishte kryetar Isa Mustafa e të cilat ambasadorja amerikane Jacobson ia futi në frigorifer për ngrirje të cekët. Dy ditë pasi që Ambasadorja amerikane iu tha krerëve të LAN-it që edhe ju jeni të korruptuar andaj s’keni pse të distancoheni nga Thaçi, ajo shkoi te u.d. i kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha, i cili është po ashtu i kapur: në njërën anë e mbajnë peng në pozitën e ushtruesit të detyrës e, në anën tjetër, vëllau i tij, Elez Hoxha, është në burg për korrupsion i dënuar me katër vjet pasi që si gjykatës ka marrë ryshfet”, ka thënë lideri i Vetëvendosjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat