Ramush Haradinaj: Nuk ka ridizajnim të marrëveshjes

Kosova

Ramush Haradinaj: Nuk ka ridizajnim të marrëveshjes

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 10:56

Lideri i partisë së katërt, AAK’së, Ramush Haradinaj ka thënë s’ka ridizajnim të marrëveshjes së Bllokut dhe se një gjë e tillë as që i është kërkuar.
“Nuk më është kërkuar të heq dorë nga pozita e Kryeministrit dhe nuk do të ndodh një gjë e tillë”, ka thënë Haradinaj, pas takimit me Isa Mustafën, Fatmir Limajn e Albin Kurtin.

“Nuk ka ridizajnim të marrëveshjes”, ka shtuar ai.

Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se kanë vendosur përsëri t’i drejtohen Flora Brovinës për të thirrur seancë të re, në të cilën deputetët do të diskutonin për zgjidhjen e bllokadës politike.

Por, Flora Brovina ka thënë se s’ka seancë pa marrëveshje paraprake mes Bllokut dhe PDK’së.

Kosova po hyn në muajin e pestë të bllokadës politike pasi LDK, AAK, NISMA dhe Vetëvendosje po insistojnë se duhet ta kenë pozitën e Kryeparlamentarit, pozitë kjo që nuk i takon me Kushtetutë.

A po çahet sot Blloku?

Liderët e katër partive, LDK, AAK, NISMA dhe Vetëvendosje, përsëri sot, janë takuar në kuadër të gjetjes së një zgjidhje për tejkalimin e bllokadës politike.

Burime të Express kanë thënë se Isa Mustafa do t’i kërkojë sot nga Haradinaj e Limaj të ridizajnohet marrëveshja e arritur pas zgjedhjeve nacionale në mënyrë që mos të vazhdojë edhe më tutje bllokada.

Mirëpo, nuk dihet se cili do të jetë propozimi i Mustafës.

Takimet e liderëve të këtyre partive kanë nisur sot në ora 9.

Deri më tash, Blloku ka insistuar të ketë pozitën e Kryeparlamentarit por kjo i është pamundësuar pasi me Kushtetutë kjo pozitë i takon vetëm partisë më të madhe, në këtë rast, PDK’së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat