Komuna e Mitrovicës : Dënohet ashpër vrasja e të riut Ardian Brahimi

Kosova

Komuna e Mitrovicës : Dënohet ashpër vrasja e të riut Ardian Brahimi

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 15:39

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri e ka dënuar ashpër vrasjen e të riut, Ardian Brahimi (1997), nga fshati Koshtovë të komunës së Mitrovicës dhe plagosjen e dy vëllezërve të tij, Albertit (1995) dhe Albionit (2000), që ka ndodhur në orët e mëngjesit, në afërsi të fshatit e tyre të lindjes, Koshtovë, në komunën e Mitrovicës, përkatësisht në vendin e quajtur Kollovërt, rreth pesë kilometra larg fshatit.
“Me pikëllim e dhembje të thellë mora lajmin për sulmin e tmerrshëm ndaj tre vëllezërve Brahimi, me ç’rast njëri mbeti i vdekur në vend dhe dy të tjerët u plagosën rëndë. Jam shumë i tronditur nga ky sulm barbar ndaj tre të rinjve, të cilët ishin duke punuar për të siguruar ekzistencën e familjes. Në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të komunës, familjarëve të viktimave, ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe më të sinqerta dhe i lus që të bëhen ët fortë për të përballuar dhembjen e madhe që kanë”, thotë kryetari Bahtiri, i cili ndodhet jashtë vendit për pushim.
Ai njëkohësisht kërkon nga organet e rendit dhe të drejtësisë që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të ndriçuar plotësisht rastin, për të gjetur kryesit e këtij krimi makabër, në mënyrë që të vihen para organeve kompetente për të marrë dënimin e merituar.
Kryetari Bahtiri, duke patur parasysh indinjatën e thellë dhe shqetësimet tejmase të qytetarëve të komunës për vrasjen e njërit dhe plagosjen e dy vëllezërve të tjerë Brahimi, kërkon nga qytetarët e komunës që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të presin rezultatet e punës së organeve të hetuesisë lidhur me ndriçimin në tërësi ët rastit.
Duke ndier dhembje të thellë për këtë ngjarje të rëndë të familjes Brahimi, kryetari komunës, Agim Bahtiri, ka vendos të ndëpres pushimet dhe të kthehet në Mitrovicë, për të marrë pjesë në varrimin e të ndjerit Ardian.
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi dhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Bislim Imeri, që nga mëngjesi kanë qenë në kontakt me policinë e Kosovës dhe me institucionet shëndetësore, për të mësuar për gjendjen e të plagosurve. Ata kanë qëndruar në Koshtovë gjatë ditës, për tu shprehur ngushëllime familjarëve të vëllezërve Brahimi dhe i kanë siguruar familjarët se do të jenë pranë tyre në këto momente të vështira.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat