Veliu shpreh keqardhje për incidentin tragjik në brezin kufitar

Kosova

Veliu shpreh keqardhje për incidentin tragjik në brezin kufitar

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 17:34

Veliu ka shprehur shqetësim për gjendjen e krijuar në brezin kufitar të Kosovës me Serbinë.

Kryetari i Podujevës, Agim Veliu ka shprehur shqetësim për gjendjen e krijuar në brezin kufitar të Kosovës me Serbinë, si pasojë e incidentit të armatosur në mes të disa prerësve ilegalë të pyllit dhe xhandarmërisë serbe, si pasojë e të cilit një qytetar nga komuna e Podujevës është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Veliu, duke shprehur keqardhje për humbjen e jetës së njerëzve në dy incidentet e armatosura, apelon te banorët e fshatrave të brezit kufitar (Përpellac, Llaushë dhe Dumnicë), që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet e tyre përgjatë vijës kufitare.

“Me keqardhje mora lajmin për vrasjen e një qytetari dhe plagosjen e një tjetri, në incidentet që kanë ndodhur dje dhe sot, në një shkëmbim me xhandarmërinë serbe. Meqë gjendja përgjatë brezit kufitar vazhdon të jetë e tensionuar, apeloj te banorët e fshatrave të asaj zone që të shmangin lëvizjet e tyre përgjatë vijës kufitare”, tha ai.

Veliu gjithashtu ka shprehur bindjen se organet e rendit, Policia e Kosovës dhe KFOR-i do të shtojnë praninë e tyre në zonën kufitare në mënyrë që të garantojnë sigurinë për banorët e atyre fshatrave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat