EULEX nuk e ndal bashkëpunimin me veriorët

Kosova

EULEX nuk e ndal bashkëpunimin me veriorët

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 08:25

Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, është i vendosur për të vazhduar bashkëpunimin me zyrtarët e komunave veriore në vend, edhe pse këta të fundit kanë shprehur qëndrimin e tyre se do t'i shkëpusin marrëdhëniet me këtë mision në qoftë se nuk i ndalin arrestimet në veri.
Zyrtarë të EULEX-it për Tribunën kanë theksuar se do të vazhdojnë të kryejnë misionin për të cilin edhe janë të thirrur nga institucionet kosovare.

“EULEX përsërit qëndrimin e vet për kultivimin e marrëdhënieve konstruktive të punës me të gjitha institucionet vendore në favor për të ndihmuar në çështjet lidhur me sundimin e ligjit në tërë Kosovën”, ka thënë shefi i zyrës për informim në EULEX, Miguel Carvalho de Faria. Ai lidhur me arrestimet e kryera në veri të vendit ka thënë se kjo çështje i takon gjykatave e të cilat janë të pavarura në punën e tyre.

“Gjykatat janë të pavarura në punën e tyre dhe marrin vendime në përputhje me ligjin. Misioni respekton autonominë e prokurorëve dhe pavarësinë e gjyqtarëve, si gurthemel i sistemit gjyqësor”, ka thënë më tej Fara. Ndonëse përfaqësuesit serbë po shprehin pezmin e tyre ndaj këtij misioni, sipas Faras, misioni i sundimit të ligjit në Kosovë është në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin lokal dhe përfaqësuesit politikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat