Trashet "Dosja Haziri"- edhe një lëndë dorëzohet në Prokurori nga PDK-ja

Kosova

Trashet "Dosja Haziri"- edhe një lëndë dorëzohet në Prokurori nga PDK-ja

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 13:36

​Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, është i angazhuar maksimalisht në mbrojtjen e parasë publike të buxhetit komunal, nga keqpërdorimet e vazhdueshme të cilat po bëhen nga qeverisja e LDK-së dhe e Lutfi Hazirit, duke i shfrytëzuar të gjitha institucionet e komunale, e ku fatkeqësisht ka arritur të keqpërdorë edhe vendimet e Kuvendit Komunal të Gjilanit thanë në një konferencë për medie Riad Rashiti, Fatbardha Selmani e Sahit Abazi.
Ne si PDK, më 4 korrik 2014, i kemi dorëzuar tri lëndë në prokurorinë themelore të Gjilanit, për tu hetuar keqpërdorimet me tenderët e komunës dhe sipas informacioneve tona, tashmë njësia për krime ekonomike kanë nisur hetimet ndaj zyrtarëve komunal, por edhe ndaj vet kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri për të cilin ne e konsiderojmë se është përgjegjësi kryesorë për shpenzimin e buxhetit komunal thanë fillimisht këshilltarët e PDK-së, raporton rajonipress.

Ndërsa për prokurorinë themelore, ne si grup i Këshilltarëve Komunal të PDK-së, kemi përgatitur edhe një dosje tjetër, për të cilën më datë 29 korrik 2014, do ta dorëzojmë në prokurori dhe do të kërkojmë zyrtarisht fillimin e hetimeve ndaj përgjegjësve kryesorë të këtij rasti, e që për ne është i pari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri. E kjo dosje ka të bëjë me ankandin publik, për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike, të destinuar për parkingjet komunale.

Riad Rashiti tha se për këtë ankand publik për parkingjet komunale, nuk janë zhvilluar procedurat ligjore sipas kushteve dhe kritereve të cilat i përcakton ligji për dhënien në shfrytëzim të pronës publike. “Ky ankand i jashtëligjshëm dhe jotransparent, ka rrjedhur edhe si pasojë e një vendimi të Kuvendit Komunal, i cili është miratuar me shumë anashkalime ligjore. Fatkeqësisht ekzekutivi i komunës së Gjilanit, po arrin që edhe shumë propozime tjera të rëndësishme, në mënyrë të mjegulluara t`i kalojë nëpër seancat e Kuvendit Komunal. Ka disa propozime të cilat janë votuar nga Këshilltarët komunal të koalicionit, pa e ditur fare se për çfarë po votojnë, por vetëm kanë ngritur duart lart, dhe kjo gjë është vërtet shqetësuese dhe alarmuese”.

Komuna e Gjilanit sipas Rashitit nuk ka qenë transparente gjatë realizimit të aktiviteteve të prokurimit për këtë ankand publik. “Nuk është bërë shpallja e ankandit publik ashtu siç është e përcaktuar në ligjin e dhënies në shfrytëzim të pronës publike, nuk ka përcaktuar kriteret e qarta të tenderimit, nuk ka miratuar çmimin fillestar të dhënies në shfrytëzim të parkingjeve dhe ka dhënë kontratë me çmim jashtëzakonisht të ulët për vetëm 51 mijë euro për të gjitha hapësirat e dhëna për parkingjet e komunës” ka sqaruar Rashiti.

Keqpërdorimet e këtij ankandi kanë filluar qysh tani, ende pa u nënshkruar kontrata në mes komunës së Gjilanit dhe operatorit ekonomik “BEZI” të cilës i është dhënë tenderi i këtij ankandi publik. Dhe i cili vendim për dhënien të tenderit fare nuk është bërë publikimi i cili kërkohet të bëhet sipas ligjit.

Nga data 20 korrik, kjo kompani ka filluar të inkasojë mjete në formë të jashtëligjshme nga qytetarët e Gjilanit, sepse ende nuk ka kontratë të nënshkruar me komunën e Gjilanit. Ka vendosur reklama me firmën e saj në vendparkingjet e komunës, ka vendosur punëtorët me uniformë, mirëpo pas reagimit tonë si opozitë, tani janë punëtorët duke punuar pa uniformë të kompanisë përfituese. Inkasojnë para nga qytetarët me tiketë të firmës BEZI dhe pa arkë fiskale. Krejt këto tregojnë dhe dëshmojnë shkeljet e shumta procedural dhe ligjore të komunës së Gjilanit, e cila ia ka dorëzuar dhe dhënë në shfrytëzim pronën publike kësaj kompanie, ende pa u nënshkruar kontrata me kompaninë përfituese,.raportn rajonipress.

“Prandaj ne kemi vendosur që edhe këtë rast ta dërgojmë në prokurorinë themelore, për të filluar hetimet. Krejt këtë po e bëjmë me qëllim të ri-kthimit të ligjshmërisë në institucionet e komunës së Gjilanit, ndalimin e keqpërdorimeve të cilat po ndodhin me tenderët e komunës së Gjilanit dhe për parandalimin e shkeljeve procedural dhe ligjore, të cilat nuk kanë të ndalur për çdo ditë nga qeverisja komunale e LDK-së dhe e kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Hazirit”.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, ka deklaruar se komuna e Gjilanit është përgatitur për të pritur sa më mirë bashkatdhetarët që vijnë nga diaspora për pushime, ndërsa në anën tjetër ata po plaçkiten me lejen e Lutfi Hazirit, sepse po lejon që ata të detyrohen të paguajnë vendparkimin në formë joligjore kudo nëpër qytetin e Gjilanit.

Ne si grup i Këshilltarëve Komunal i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Gjilanit, që mos të paguajnë asnjë cent për parking të automjeteve të tyre në pronën komunale, sepse kjo është plaçkitje që ju bëhet juve.” Ju nuk duhet të paguani fare deri sa të nënshkruhet kontrata ligjore në mes të komunës me kompaninë përfituese të këtij ankandi, të cilin e konsiderojmë se edhe ashtu është plotësisht i jashtëligjshëm dhe jotransparent. Poashtu ky kryetar i komunës, ka deklaruar se do të kemi partneritet të ngushtë me bizneset, ndërsa në anën tjetër ai përveç që ka ri-kthyer dhe ka rritur taksat komunale, e që ishin hequr nga qeverisja e PDK-së, ai po ua ngulfat edhe hapësirat para lokaleve të tyre, sikurse në lagjen e Dardanisë, përballë shkollës fillore “Selami Hallaqi” për të krijuar sa më shumë hapësira për kompaninë përfituese të parkingjeve komunale. Ndërsa të gjitha këto biznese i kanë dërguar peticion kryetarit të komunës që mos tu merret hapësira para lokaleve të tyre të cilët e shfrytëzojnë klientët e tyre por edhe prindërit e nxënësve të kësaj shkolle që gjendet aty”.

Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, po krijon monopol për disa biznese të reja për aktivistë të LDK-së, e në kurriz të qindra e mijëra bizneseve të komunës së Gjilanit, Në këtë ankand dyshohet se qëndron mbrapa edhe vet shefi i zyrës së kryetarit të komunës, i cili ka hise në këtë biznes monopolistik të parkingjeve të komunës.

Mirëpo për të gjitha këto sigurisht që është në dijeni edhe i orkestron vet i pari i qytetarëve të Gjilanit Lutfi Haziri i cili gjatë këtyre shtatë muajve asnjë projekt të tij nuk e ka nisur, sepse nuk ka pasur kohë të merret me Gjilanin, përveç që ka qenë jashtëzakonisht i angazhuar në menxhimin e tenderëve dhe ankandeve publike, aty ku keqpërdoren qindra mijëra euro.
E konsiderojmë sukses të opozitës anulimin e tenderit të dezinsektimit të qytetit, ku kemi parandaluar keqpërdorimin e 160 mijë eurove nga kjo qeverisje komunale. Ky anulim ka ndodhur pas dërgimit në prokurori të këtij rasti ka thënë Fatbardha Selmani.

“Edhe pse qytetarët e Gjilanit nuk e kanë merituar që gjatë kësaj vere, të ngacmohen masovikisht nga insektet e ndryshme, si pasojë e keqmenaxhimit dhe e keqpërdorimeve të komunës. Ne kemi besuar dhe besojmë në institucionin e prokurorisë dhe të drejtësisë, ku do të trajtohen profesionalisht të gjitha rastet e ngritura për hetime. Ne besojmë se edhe ky ankand do të anulohet pas konstatimit të keqpërdorimeve dhe shkeljeve të shumta procedural dhe ligjore nga institucionet e komunës së Gjilanit” ka thënë ajo.

Grupi i Këshilltarëve të PDK-së, shprehë shqetësimin edhe për problemin e mos dezinsektimit nga komuna e Gjilanit, ku në këtë vit nuk e ka kryer fare këtë shërbim, duke ka lejuar që të bëhet një gjendje shumë e padurueshme dhe e keqe sa i përket sigurisë së shëndetit publik nga rreziqet prej sulmeve të insekteve të ndryshme.

Pas anulimit të tenderit të dezinsektimit, zyrja e prokurimit ende nuk e ka shpallur ri-tenderimin për këtë shërbim që është bërë mjaft emergjent. Kësaj qeverisje komunale, sic duket nuk po i intereson fare shëndeti publik, kur dihet se mund të bëhet infektimi i qytetarëve nga sëmundjet e ndryshme prej insekteve dhe përhapja e sëmundjeve të ndryshme nga brejtësit. Poashtu edhe dezinfektimi i objekteve shkollore dhe publike, rrezikon shëndetin e nxënësve në fillim të vitit shkollor tha Selmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat