Grabovci: Fajtorë janë humbësit

Kosova

Grabovci: Fajtorë janë humbësit

Më: 25 korrik 2014 Në ora: 19:01

Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci, thotë se Kosova aktualisht gjendet në një ngërç politik, por jo me fajin e PDK-së!

Grabovci pohon se këtë ngërç politik e kanë shkaktuar “humbësit e zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit, PDK-AAK-Nisma”, parti këto të cilat, sipas tij, “po tentojnë ta marrin pushtetin në mënyrë të jashtëligjshme”.

“Ne nuk pajtohemi me asnjë veprim antikushtetues, antiligjor, që bie ndesh me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ne do të jemi insistues që të respektojmë ligjet tona, të respektojmë vullnetin dhe të kemi institucione vërtet funksionale e stabile, për të cilat ka nevojë shteti ynë”, thotë ai.

Adem Grabovci mendon se sovrani e ka përcaktuar se kujt i takon Kryeministri dhe Kryeparlamentari.

“Çështja e të qenit kryetar i Parlamentit, kryeministër, ministër ose president, nuk është fontanë dëshirash, por është një procedurë, është çështje e vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Nuk jemi ne ata të cilët përcaktojnë se kush ku do të jetë, por në kushtet e demokracisë është qytetari i Kosovës ai i cili na tregon se kujt çka i takon dhe kjo përcaktohet me votën e tyre”, thekson Grabovci. “Si do të veprojë qytetari i Kosovës, kur ligjvënësi kthehet dhe i shkel ligjet, të cilat i ka aprovuar vetë në atë institucion”

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në një prononcim për Politiko.net, ka thënë më herët se zgjedhjet e reja do nuk do të ishin zgjidhje, duke parashikuar edhe dhunë. Por, Grabovci nuk mendon kështu. Ai thotë se për PDK-në, dhuna është e huaj.

“Dhuna për ne është e huaj, ne jetojmë në kushte të demokracisë”, ka thënë Grabovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat