Për 6 muaj Klina shpenzoi për dreka zyrtare mbi 21 mijë euro

Kosova

Për 6 muaj Klina shpenzoi për dreka zyrtare mbi 21 mijë euro

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 12:47

Komuna e Klinës ka shpenzuar hiç më pak se 21 mijë e 260 euro vetëm për dreka zyrtare, brenda 6 muajve të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shpenzimet janë shtuar për 7 mijë euro. Nga 14. 600 euro, në periudhën janar – qershor 2013, sivjet shpenzimet janë 21 mijë e 260 euro.
Po ta përkthejmë në ditë, i bie që për çdo ditë, pa llogaritur ditët e pushimit javor, kjo komunë për dreka zyrtare harxhon 123 euro në ditë.

Drejtori i Drejtorisë për buxhet dhe financa, Ramiz Rrusta, nuk ka dashur të komentojë fare raportin e shpenzimeve me arsyetimin se këtë do ta bëjë para këshilltarëve në Kuvend, derisa nënkryetari Enver Berisha, ka thënë se akoma zyrtarisht nuk e ka parë këtë material për ta komentuar.

Sipas raportit, për derivate, regjistrim dhe sigurim të automjeteve, Komuna e Klinës ka shpenzuar 61 mijë e 244 euro, prej tyre 44 mijë e 039 vetëm për derivate. Një kategori tjetër që bën pjesë në mallra dhe shërbime është edhe ajo për dru, ku shpenzimet krahasuar me të njëjtin periudhe të vitit të kaluar, janë për 19 mijë euro me tepër nga 51 840 në periudhën janar – qershor 2013 në 70 mijë 105 sivjet.

Sa i përket shpenzimeve telefonike në gjashtëmujorin e këtij viti ato kapin vlerën 15 mijë e 024 euro, prej tyre 7670 euro në telefoninë “Vala” dhe 7354 euro shpenzime telefonike të tjera, duke përfshirë lidhjen kabllore.

Shpenzimet e udhëtimit brenda vendit kanë qenë vetëm 369 euro, ndërsa ato jashtë vendit 4429 euro. Në total, Komuna në periudhën janar-qershor ka shpenzuar 3 milionë e 882 mijë e 281 euro, prej tyre 966 mijë e 965 shpenzime kapitale, 57 mijë e 699 subvencione dhe transfere, mallra dhe shërbime 353 mijë e 547 euro dhe shpenzime komunale 82 mijë e 700 euro. Totali për rrogat dhe pagat ka qenë 2 milionë e 421 mijë e 369 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat