Mjekët e Ferizajt protestojnë kundër sulmit ndaj tyre

Kosova

Mjekët e Ferizajt protestojnë kundër sulmit ndaj tyre

Më: 16 korrik 2014 Në ora: 22:55

Një rast i pazakontë ka ndodhur dje në spitalin e Ferizajt. Pacient me inicialet A. H. rreth 40 vjeç, ka sulmuar fizikisht ortopedin Halil Gërbeshi, me arsyetimin se ai nuk po e trajtonte atë. Kjo ngjarje ka bërë që të mërkurën të protestojnë punëtorët e Spitalit, duke thënë se sulmi ndaj tyre është sulm ndaj çdo jete që shpëton mjeku.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Gëzim Bajrami, ka thënë se mjeku është sulmuar derisa po mjekonte një fëmijë.“Ende pa e përfunduar pacientin, personi fillon ta kërcënoj doktorin, me fjalë e sharje. Aty pastaj janë nxehur fjalët, dhe personi e ka goditur doktorin dhe e ka lënduar rëndë në hundë, duke i shkaktuar gjakderdhje”, theksoi Bajrami.

Ngjarja ka ndodhur në departamentin e emergjencës në spitalin e Ferizajt, ndërsa në protestën e tyre të heshtur doktorët shprehen të brengosur me sulmin ndaj ortopedit, për më tepër kur trajtonte një pacient fëmijë.

Në lidhje me sulmin ndaj ortopedit spitali i Ferizajt në protestë 1 orëshe para spitalit, mjekët kanë shprehur kështu mllefin për sulmin ndaj doktorit dhe gjithë rasteve tjera që kanë ndodhur, e që kanë nisur të bëhen të tepërta. Sipas drejtorit Bajrami, ky nuk është rasti i parë. “Gjatë këtij viti na kanë ndodhur tri raste. Qytetarët duhet të vetëdijesohen se kur vijnë në emergjencë duhet pritur radhën”, tha Bajrami.

Mësohet se për sulmin drejtoria e spitalit ka lajmëruar edhe policinë, e cila ka ardhur dhe i ka marrë të dy palët, ndërsa tregoi se ka informacion se policia e ka lëshuar sulmuesin pas procedurave që ka pasur, dhe tashmë i ka mbetur gjyqit që të merret me këtë çështje.Rastin në fjalë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Ferizaj, togeri Agim Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat