Remi: Turqia e qelbur s’ka për të ndikuar më në Ballkan - reagon deputeti i PD-së, Gëzim Kelmendi

Kosova

Remi: Turqia e qelbur s’ka për të ndikuar më në Ballkan - reagon deputeti i PD-së, Gëzim Kelmendi

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 22:43

Rrustem Mustafa - Remi, deputet i zgjedhur i PDK-së, është marrë me deklaratat e kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan lidhur me kinse ‘kërcënimet’ që ai ua ka bërë atyre që mund ta “prekin Bosnjën”.

Sipas medieve boshnjake dhe kroate, Erdogani ka kërcënuar të gjithë ata që prekin Bosnjën, duke thënë se “kundër do t’i kenë 100 milionë turq”. Kjo deklaratë ka bërë bujë të madhe, derisa krerët e shtetit serb dhe presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës janë mbledhur sot urgjent.

Më pas dolën ambasadorët e Turqisë në Sarajevë dhe në Beograd, duke thënë se Erdogan nuk kishte thënë ashtu.

E Mustafa thotë se kërcënimet rreth Ballkanit nuk duhet të merren serioze.

“Shesheli sa herë ka kërcënuar në emër të shtetit se gjithë shqiptarët duhet t’i shporrim përtej Bjeshkëve të Nemura... dhe ja, ne jemi këtu dhe po zhvillohemi. Sa herë ka pasur kriza në Ballkan, turqit kërcënonin, si kryeministri Erdogan tani, ashtu edhe kryeministri Demirel gjatë kohës kur po fillonte lufta në Bosnjë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Bile Mustafa iu ka referuar si “fuqi e qelbur” Turqisë, duke shkruar se “s’kanë për të fituar as besimin e as mundësinë për të ndikuar në Ballkan”.

“Ai (Demirel) ka pas kërcenue se nëse ndodhë vetëm një tullë (mjet ndërtimi) me i mungua Sarajevës ushtria turke do jetë aty. U vranë shumë njerëz në Bosnjë dhe Sarajeva u rrënua në tërësi. U dogj gjithçka që pati atje... dhe ushtria turke pati shpëtuar pa u involvuar në Bosnjë. Pas këtyre kërcënimeve të shumta, shqiptarët nuk u zhduken as nga “miqtë” turq (osmanë) por as nga fqinjët tanë serbë... edhe Ballkani do jetë i qetë, dhe pa dridhje nga fuqitë e qelbura nëpër kohë dhe që s’kanë për të fituar as besimin as mundësinë për të ndikuar në Ballkan...!”, ka shkruar ai.

Sipas Remit, Bashkimi Evropian kujdeset, në partneritet strategjik me SHBA-të dhe kombet e qytetëruara, për rajonin ku shqiptarët kanë rol zhvillimi, në prodhimin e sigurisë afatgjate për Ballkanin, por edhe më gjerë.

Kelmendi: Turp për ty Rrustem Mustafa, i mbron serbët!

Deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, që është në koalicion me PDK-në dhe do të ulet bashkë më Rrustem Mustafën-Remin në Kuvendin e Kosovës, këtë të fundit e ka quajtur “të vogël”.

Ky reagim i Kelmendit erdhi pasi Mustafa shkroi në Facebook në lidhje me “kërcënimin” që Turqia kinse i bëri të gjithë atyre që guxojnë ta prekin Bosnjën.

“Deputet Rrustem Mustafa-Remi, i vogël je ti me fol për Turqinë. Doli në shesh deklarata e Erdoganit për boshnjakët (ku vërtetohet se nuk është ashtu) ti del në mbrojtje të atyre që vranë dhe dhunuan mbi 200 mijë Myslimanë, ti mbron serbët. Turp për ty”, ka shkruar në Facebook Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat