Ramadan Muja, i vetmi Kryetar i mbyllur në Kosovë

Kosova

Ramadan Muja, i vetmi Kryetar i mbyllur në Kosovë

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 12:11

Gjatë muajit prill të këtij viti, Forumi Transparenca i ka bërë thirrje kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja që t’i rihapë takimet me drejtorët komunal për media dhe shoqërinë civile. Kërkesa për hapjen e vendimmarrjes së ekzekutivit është përsëritur edhe në debatin “Ballafaqim” mes Forumit Transparenca dhe zyrtarëve të komunës, e cila ka trajtuar çështjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Me gjithë këtë angazhim të medias dhe shoqërisë civile në Prizren, Ramadan Muja vazhdon të mbajë të mbyllur procesin e vendimmarrjes dhe menaxhimit të parasë publike. Duke e konsideruar transparencën si parakushtin themelor të qeverisjes demokratike dhe pasi që deri më tani nuk kemi pranuar asnjë përgjigje, ne anëtarët e Forumit Transparenca ripërsërisim kërkesën tonë për anulimin e menjëhershëm të vendimit për mbylljen e takimeve të Kryetarit me drejtorët.

Kryetari i komunës së Prizrenit edhe në mandatin e tij të tretë të qeverisjes vazhdon praktikën e vendimmarrjes së mbyllur. Që nga marrja e një vendimi të këtillë vite më parë, asnjëherë nuk është dhënë një arsyetim i artikuluar dhe bindës për arsyeshmërinë e kësaj mbylljeje. Kjo praktikë, e cila bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente është dëshmia më e mirë se komuna e Prizrenit po dështon në promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë.

Ramadan Muja është i vetmi kryetari komune në Kosovë, i cili e ka mbyllur vendimmarrjen për mediat dhe shoqërinë civile. Forumi Transparenca shpreh pakënaqësinë dhe mospajtimin e vet në lidhje me pamundësinë e mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve për të marrë pjesë në takimet e kryetarit të komunës me drejtorët komunalë. Kjo mbyllje e vendimmarrjes komunale është pengesë direkte ndaj punës së këtyre akterëve, të cilët kanë për qëllim rritjen e informimit publik. Në rase se Kryetari i Komunës nuk i përgjigjet edhe kësaj kërkese, Forumi Transparenca do të detyrohet të përdorë forma të tjera të veprimit deri në arritjen e qëllimit përfundimtar, hapjen e vendimmarrjes lokale.

Forumi Transparenca është trup joformal i përbërë nga aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë të Prizrenit, të cilët janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike dhe misioni i tij është koordinimi i veprimeve të këtyre akterëve për të rritur nivelin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes lokale të Prizrenit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat