Humbësi Muharrem Xhemajli nuk rikthehet në krye të OVLUÇK'së

Kosova

Humbësi Muharrem Xhemajli nuk rikthehet në krye të OVLUÇK'së

Më: 7 korrik 2014 Në ora: 08:37

Muharrem Xhemajli, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), i cili nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për deputet, ka bërë me dije për Epokën e re” se nuk e ka ndërmend të rikthehet në krye të kësaj organizate, të cilën e ka drejtuar për më shumë se pesë vjet.
“Nuk pretendoj të kthehem në krye të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, por gjithherë do të jem pranë bashkëluftëtarëve dhe do ta jap kontributin tim për avancimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së. Normalisht do t’u ndihmoj veteranëve aty ku do të jem në të ardhmen. Faktikisht ende nuk kam vendosur se si do të veproj tash e tutje, por e kam një vend pune të cilën e kam pasur edhe gjatë kohës kur kam qenë në krye të kësaj organizate. Tani jam duke shkuar në punë dhe të shohim se si do të shkojnë gjërat, por në krye të OVLUÇK-së nuk do të rikthehem”, ka thënë Xhemajli.

Në këtë kontekst, Xhemajli ka deklaruar se OVLUÇK-ja ka qenë dhe duhet të mbetet organizatë apolitike. Ai ka thënë se do të vazhdojë ta japë kontributin për veteranët dhe qytetarët brenda strukturave të PDK-së. “OVLUÇK-ja gjithherë ka qenë organizatë jopolitike dhe ka qenë larg politikës. Dhe tani do të ishte e pakuptimtë dhe e pamoralshme që unë të kthehem në krye të OVLUÇK-së përderisa jam i identifikuar me PDK-në. Do të vazhdoj ta jap kontributin tim brenda PDK-së për avancimin e jetës së qytetarëve dhe për të mirën e vendit”, ka deklaruar Xhemajli, duke shtuar se, pas verifikimit të veteranëve, do të mbahen zgjedhjet brenda OVLUÇK-së. “Unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të OVLUÇK-së, por unë jam ende pjesë e strukturave të kësaj organizate, duke përfshirë Këshillin Drejtues dhe Kryesinë e OVLUÇK-së. Dhe derisa të mbahen zgjedhjet, të cilat janë paraparë pas verifikimit të veteranëve, me përvojën time do ta jap kontributin tim. Në momentin që të kryhet verifikimi i veteranëve, thirret mbledhja e Këshillit Drejtues dhe vendoset për fillimin e mbajtjes së zgjedhjeve brenda organizatës, fillimisht nëpër degë, pastaj në nivelin qendror”, është shprehur Xhemajli.

Nuk jam i dëshpëruar për rezultatin e treguar në zgjedhje

Pavarësisht se nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Muharrem Xhemajli është ndarë i kënaqur me rezultatin që ka arritur në zgjedhjet e 8 qershorit. “Nuk janë pak mbi 6 mijë vota, sidomos me një buxhet shumë të vogël për të bërë fushatë dhe për të dalë në terren. I falënderoj të gjithë ata që me kanë votuar dhe përkrahur në këto zgjedhje. Realisht për mua ky rezultat është i mirë, sepse mbi 6 mijë vota nuk janë pak për një kandidat i cili për një kohë shumë të shkurtër angazhohet në jetën politike. Ju e dini se sa kam qenë pjesë e OVLUÇK-së, shpeshherë edhe i kam kritikuar institucionet e vendit, edhe qeverinë që është udhëhequr nga PDK-ja. Të gjitha ato kritika janë bërë për të mirën e vendit. Aspak nuk jam i dëshpëruar për rezultatin që kam arritur në zgjedhje”, ka thënë Xhemajli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat