A po bie ndesh PDK-ja me Brukselin dhe SHBA-të?

Kosova

A po bie ndesh PDK-ja me Brukselin dhe SHBA-të?

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 4 korrik 2014 Në ora: 21:52

Selia e BE-së në Bruksel edhe pse nuk dëshiron të përzihet në formimin e Qeverisë së re të Kosovës, presin që, në bazë të praktikave më të mira të demokracisë parlamentare, dhe në bazë të një “logjike të shëndoshë” presidentja t’i ofrojë së pari mundësinë PDK-së, por nëse dështon Thaçi atëherë mandatin t’ia besojë koalicionit, i cili mund të sigurojë votat e mjaftueshme në Kuvend, pasi konsiderojnë së “zgjedhjet e reja nuk janë të dëshirueshme”.

Pretendimet dhe kërcnimet e shpeshtuara të PDK-së dhe nënkryetarit të sajë Hajredin Kuçit, si dhe të kryetarit Thaçi, bien ndeshë me sugjerimet dhe rekandimet që vijnë nga miqtë tanë ndërkombëtarë nga Brukseli dhe nga SHBA-të, thotë analisti politik Nehat Hyseni.

“Gjëja më e thjeshtë dhe më normale në botën demokratike është se qeveria formohet nga shumica e deputetëve dhe s'ka se si bëhet ndryshe. Kurse tek ne janë duke u bërë akrobacione të ndryshme politike kinse për të "sqaruar" diçka që i është e qartë të gjithëve, por sa duket nuk i është e qartë vet pushtetmbajtësve aktualë, të cilët kurrësesi nuk po mund ta kuptojnë se nuk e kanë dhe nuk mund ta kenë kurrësesi shumicën e nevojëshme për të qeverisur edhe në mandatin e tretë”, thekson Hyseni, për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, kërcënimi me shpallje të zgjedhjeve të reja, nga kushdoqoftë, paraqet akt vrastar ndaj Kosovës dhe ekonomisë së Republikës së Kosovës.

“Pangopësia me pushtet dhe apetitet megalomane për ta (keq)qeverisur edhe për një mandat Kosovën, janë të kobëshme dhe nuk ia duan aspak të mirën këtij populli të sfilitur nga skamja, papunësia e mjerimi, si dhe Kosovës, e cila edhe ashtu është katandisur mozomakeq, meqë është i vetmi shtet i izoluar dhe getoizuar në Europë”, potencon ai.

Sipas tij, “i vetmi akt patriotik që e kërkojmë me ngulm nga klasa politike e Kosovës është domosdoshmëria që të mbledhin mend dhe të veprojnë ashtu si vepron dhe na sugjeron bota e përparuar demokratike, që ta zgjedhim qeverinë e re dhe t'i përvjelimnkrahët për t'i hyrë punës për t'i riparuar gabimet e së kaluarës dhe t'ia kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur shtetit më të ri në Europë, Republikës së Kosovës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat