Rreth 150 pacientë ankohen për shërbime mjekësore

Kosova

Rreth 150 pacientë ankohen për shërbime mjekësore

Më: 12 prill 2014 Në ora: 21:28

Rreth 150 pacientë i kanë paraqitur ankesat e tyre në Shoqatën për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve. Përfaqësues të kësaj shoqate thonë se rastet janë nga më të ndryshmet, por kryesisht kanë të bëjnë me mosofrim të duhur të shërbimeve mjekësore, si në institucionet publike shëndetësore, ashtu edhe në ato private.

Përveç në Shoqatën për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, qytetarët janë ankuar edhe në Komisionin etik profesional.

Hysen Hyseni, Kryetar i komisonit Etiko Profesional në QKUK, thotë se ka pasur raste që nuk janë përfunduar për shkak të disa anëtarëve të këtij komiteti të cilët, sipas tij, e kanë neglizhuar punën e këtij komisioni, për shkak që, siç tha ai, të mos hidhërohen me kolegët e tyre.

Pikërisht për këtë Hyseni ka kërkuar nga drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, që t`i ndërrojë anëtarët duke emëruar anëtarë të rinj edhe jashtë QKUK-së, në mënyrë që, siç tha ai, të mos ketë favorizime gjatë marrjes së vendimeve,

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, thotë se janë duke e shqyrtuar kërkesën e Hysenit dhe se shpejt do të ndërrohen edhe anëtarët e komisionit.
Zëdhënësi Fazliu u bëri thirrje pacientëve të cilët marrin shërbime mjekësore nëpër klinikat e QKUK-së, që për çfarëdo vërejtje t'i deponojnë ankesat e tyre, në mënyrë që të merren masat për ndonjë shkelje të mundshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat